30.8 C
Skopje
Wednesday, May 25, 2022

Koment: Partitë e vogla “sherrin” e madh, haptas kërcënojnë se do ta rrëzojnë qeverinë pas tre muajve?!

Shkup, 14 janar – Pesë parti të vogla parlamentare kushtëzojnë mbështetjen e tyre të mëtutjeshme për qeverinë e re të DImitar Kovaçevskit, duke kërkuar që në afat prej tre muajve të miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, ato nuk do të jenë më pjesë e shumicës parlamentare, me çka shumica aktuale ka gjasa të bie nën 60 deputetë. Deputetët e Lidhjes Demokratike, PRM, PLD, VMRO-Popullores dhe Partisë Demokratike të Turqve kërkojnë nga kryeparlamentari Talat Xhaferi që të caktohet menjëherë mbledhje e Kuvendit në të cilën do të debatohet për ndryshimet e propozuara . Kërkesa e tyre është Maqedonia e Veriut të mos jetë e ndarë më në gjashtë njësi zgjedhore siç është tani, port ë krijohet një njësi zgjedhore ku deputetët do të zgjedhen me system proporcional.

Nëse deri më 15 prill Kuvendi nuk miraton këto ndryshime, atëherë do ta lëshojnë shumicën parlamentare. Çka do të ndodhë pastaj, parashtrohet pyetja.

Këto pesë parti së bashku kanë 6 deputetë -Lidhja Demokratike 1, PRM 1, PLD 2, VMRO-Popullore 1 dhe Partia Demokratike e Turqve 1. Duke pasur parasysh se shumica aktuale zyrtarisht ka 64 deputetë, dalja e tyre nga koalicioni qeveritar ul numrin në 58, që është i pamjaftueshëm për qeverisje. Më pas, prej tyre do të varet se si do të zhvillohet situata politike. Me gjashtë deputetët që kanë në disponim, dhe nëse tregojnë unitet deri në fund, këto parti mund të krijojnë shumicë të re qeveritare me pakicën e tanishme, ose të shkaktojnë krizë politike, nga e cila e vetmja rrugëdalje do të jetë shpërbërja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në bazë të qëndrimeve aktuale, më i besueshëm është variant i dytë, por kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov nuk përjashton mundësinë edhe për variantin e formimit të një shumice të re.

Propozimi i partive të vogla për një njësi zgjedhore daton që nga muaji mars i vitit të kaluar, por deri tani nuk është marë parasysh edhe përkundër paralajmërimeve që kanë bë disa herë. Tani kanosen me datë konkrete, se nëse ky propozim nuk kalon deri më 15 prill, atëherë do të largohen nga Qeveria.

Largimi i tyre me siguri sjell zgjedhje të parakohshme. Për momentin zgjedhjet e parakohshme më së shumti i konvenojnë VMRO-DPMNE-së së Hristijan Mickovskit, deri diku Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, kurse më së paku LSDM-së dhe BDI-së, por edhe Alternativës. LSDM-së nuk i konvenojnë zgjedhje të shpejta për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale të fundvitit të kaluar, kurse BDI-së jo për shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale, por për shkak se nëse partitë e vogla lëshojnë qeverinë, vështirë se do të realizohet premtimi i tyre për kryeministër shqiptar të propozuar nga partia e Ali Ahmetit. Mirëpo gjasat që të kalojë kërkesa e partive të vogla për një njësi zgjedhore janë minimale, për shkak se një kërkesë të tillë para së gjithash kundërshton BDI-ja, parti e cila me 15 deputetë më shumë se partitë e vogla vendos për fatin e qeverisë.

Për këtë arsye, edhe pse kërcënimi i partive të vogla është mjaft konkret dhe serioz, megjithatë partitë e mëdha, e në veçanti LSDM-ja për të cilën dihet se më së paku i konvenojnë zgjedhje të shpejta, nuk çajnë shumë kokën.

Mandatari Kovaçevski edhe pse gjatë konsultimeve të zhvilluara me partitë e vogla u ka premtuar, megjithatë në programin qeveritar nuk e ka vendosur kërkesën e tyre. Athua LSDM dhe Kovaçevski kanë ndonjë “xhoker” të fshehur në mëngën e tyre për t’i rezistuar daljes eventuale të partive të vogla nga koalicioni qeveritar? Apo ndoshta jo të gjithë gjashtë deputetët do të dëgjojnë urdhërat e liderëve partiakë për të lëshuar qeverinë, respektivisht mund të mbeten pjesë e shumicës edhe nëse liderët largohen bashkë me partitë e tyre?

E gjithë kjo mbetet të shihet në tre muajt e ardhshëm, deri më 15 prill, kur do të kuptojmë nëse “sherri” I partive të vogla do të kemi zgjedhje të reja, ose ato edhe më tej do të mbeten “bisht” i partive të mëdha, gjë që duan ta flakin pikërisht me propozimin për një njësi zgjedhore./Zhurnal.mk

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img