26.8 C
Skopje
Saturday, August 13, 2022

Dilema shekullore e ShBA-së: Midis izolacionizmit dhe angazhimit global

George Friedman

Duke nisur që nga vitet 1930, në Shtetet e Bashkuara kanë pasur një debat mbi politikën e jashtme të bazuar në sloganin “America First” (E para vjen Amerika), një politikë nacionaliste, e cila u jep përparësi objektivave të ShBA-së mbi ato të tjerat. Kjo është një qasje, e cila në periudha të ndryshme ka qenë thelbësore për demokratët dhe republikanët.

Qëndrimet kanë lëvizur nga e djathta, që kërkon që ShBA-ja të mos marrë përgjegjësinë për fatin e kombeve të tjera, deri tek e majta që pretendon se vendi është i përcaktuar të jetë “xhandari” i botës. E majta ka mbështetur një strategji sipas së cilës Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të përfshira në botë përmes aleancave.

Në kampin e djathtë ka ekzistuar besimi se ShBA duhet të mbetet e përfshirë me botë, në mënyrë që për shembull të mposhtë komunizmin. Ky slogan ka marrë karakterin e një parimi moral dhe të veprimit të matur në të dyja prirjet ideologjike, dhe po ashtu shihet si një detyrim moral.

Çështja e marrëdhënieve të duhura të Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës, ka qenë shumë e rëndësishme që nga themelimi i Amerikës. Thomas Jefferson kërkoi mos ngatërrimin e Amerikës në aleancat me vendet evropiane, ndërsa George Washington dhe Benjamin Franklin po përpiqeshin të përfshinin Francën në Revolucionin Amerikan.

Amerika u themelua si një alternativë ndaj Evropës, si një rend i ri. Ishte gjithashtu një komb në mesin e shumë të tjerëve, dhe për njëfarë kohe shumë i dobët. Marrëdhënia e Amerikës me botën ka qenë gjithmonë e paqartë si çështje praktike dhe morale dhe në periudha të ndryshme dhe për të dyja palët.

Koncepti modern i “America First” u shfaq së pari në vitet para Luftës së Dytë Botërore. Në shumë aspekte Shtetet e Bashkuara ishin futur në Luftën e Parë Botërore kundër vullnetit të tyre, dhe pikëpamja e përgjithshme dhe e arsyeshme ishte se nga ajo u fituan shumë pak gjëra.

E majta e pa ndërhyrjen kundër Adolf Hitlerit si një detyrim moral. Ndërsa e djathta thoshte se detyrimi kryesor moral i Shteteve të Bashkuara ishte garantimi i mirëqenies së amerikanëve, dhe se nëse ndërhyrja ishte një domosdoshmëri morale, Stalini do të ishte një objektiv më i përshtatshëm.

Shtetet e Bashkuara supozonin se oqeanet që ndajnë ShBA-në nga Evropa, do ta mbronin atë nga marrëzitë e Evropës. Por, në fakt nuk ishte kështu. Kur Hitleri pushtoi Francën dhe nisi një luftë masive kundër Evropës, në horizont u shfaq një rrezik i madh. Britania kishte në atë kohë marinën më të fuqishme në botë. Nëse Gjermania do të mundte Britaninë, ajo mund të merrte kontrollin e anijeve të saj dhe do të vendoste nën kontroll gjithë Atlantikun e Veriut, gjë që do të përbënte një kërcënim ekzistencial për Shtetet e Bashkuara. Lëvizja “America First” e pa ndërhyrjen në atë luftë si një akt bamirësie dhe jo si një imperativ strategjik.

Por, ajo qasje e mbivlerësonte sigurinë e Shteteve të Bashkuara në një botë të rrezikshme. Izolacionizmi ishte i rrezikshëm. Pas Luftës së Dytë Botërore, pikëpamja amerikane ishte se kostoja e jetëve amerikane, ishte rezultat i dështimit për të vepruar më shpejt kundër Gjermanisë dhe Japonisë.

Prandaj, ajo reagoi ndaj fuqisë sovjetike, duke e zvogëluar forcën e saj të kohës së luftës, por nuk u demobilizua asnjëherë. Shtetet e Bashkuara krijuan aleancën më të ndërlikuar të mundshme, NATO-n, dhe zbatuan një politikë sipas së cilës, siç tha dikur presidenti John Kennedy, “ne do të paguajmë çdo çmim, do të mbajmë çdo barrë, do të përballojmë çdo vështirësi, do të mbështesim çdo mik, do të kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Ky ishte sigurisht angazhimi më ekstrem që mund të ndërmerrte çdo komb. Ishte vazhdimi logjik i intervencionimit liberal, i cili i hapi derën një sërë luftërash, duke filluar nga Vietnami, dhe të tjerat që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Dhe, ai u mbështet në përgjithësi nga krahu i djathtë.

Në Vietnam lufta nuk shkoi as keq, por as mirë. Thjesht u zhvillua. Doktrina Kennedy u sulmua nga e majta e cila argumentoi se duke marrë përgjegjësinë për botën, se ShBA-ja ishte bërë një “përbindësh imperialist” që po zhvillonte një luftë të pamëshirshme që nuk ishte punë e saj.

Pikëpamja shkonte përtej Vietnamit, tek koncepti se ndikimi dhe fuqia amerikane në mbarë botën, po shfrytëzonte dhe shtypte të drejtat e kombeve të tjera. E majta mbështeste tërheqjen e ShBA-së nga angazhimi global, jo në formën e doktrinës “America First”, por si një doktrinë me të cilën ishte imorale që Shtetet e Bashkuara të ishin xhandari i botës.

Intervencionizmi në fjalimin e Kennedyt ishte një reagim kundër “America First” të para Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse u sulmua fort nga e majta, ky parim mbijetoi. Shtetet e Bashkuara kanë kaluar më shumë kohë në luftë që nga viti 2000, sesa në çdo shekull të mëparshëm.

Dhe, që nga sulmet e 11 Shtatori 2001, ajo ka zhvilluar luftëra kryesisht të pasuksesshme. “America First” është një doktrinë e arsyeshme e vetëkuptueshme, nëse kjo nënkupton vendosjen në qendër të interesave amerikane. Çdo komb në botë, vendos në radhë të parë interesat e veta.

Aleancat duhet t’i shërbejnë interesit kombëtar, ashtu siç edhe izolimi. Asnjëra nuk është në vetvete një doktrinë strategjike. Ato janë mjete për një qëllim. Qeveria ka detyrimin moral që ta mbrojë kombin. Ndonjëherë kjo kërkon aleatë dhe ndonjëherë luftë.

Por, nëse i referohemi vizionit të Kennedyt, do të ishte vendosja e një sërë detyrimesh, të cilat mund të rrënojnë një komb, dhe në fakt ato i kanë kushtuar shumë Shteteve të Bashkuara. Dhe, nëse ideja që amerikanët duhen ta vënë në plan të parë Amerikën është e vetëkuptueshme, atëherë ajo që nënkupton kjo në praktikë është delikate dhe komplekse. Izolacionistët në të djathtë menduan se Shtetet e Bashkuara ishin të pathyeshme në qëndrimin e tyre. Ata në të majtë i mendonin Shtetet e Bashkuara si një shtypës brutal. Të dyja analizat ishin të thjeshtëzuara, të dëmshme dhe të pavërteta.

Por, në themel të çdo strategjie kombëtare, duhet të jetë kuptimi i interesit kombëtar, i cili nuk është asnjëherë i thjeshtë dhe as i vetëkuptueshëm. Dhe ai i sfidon ideologjitë e thjeshtuara. Bota është një vend i rrezikshëm, edhe nëse nuk duam luftë, lufta mund të na “dojë” ne.

Dhe, një parim moral që kërkon luftë të vazhdueshme është i padurueshëm. Çështja është se çfarë do të bëjmë tani. Jo atë që kemi bërë më parë, madje as atë që do të bëjmë më vonë. E ardhmja na befason gjithmonë.

Thelbi është të jemi të zhytur në mendime dhe të vendosim gjithmonë Amerikën në plan të parë, gjë që mund të na çojë në shumë pjesë të botës. “America First” nuk është izolacionizëm, ai është angazhimi ynë moral ndaj kombit. /Burimi: “Geopolitical Future”/Në shqip nga: Bota.al/

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img