19.8 C
Skopje
Saturday, July 13, 2024

VMRO: Do të amnestohen vetëm kriminelët

Shkup, 14 shtator – Pushteti amniston vetëm kriminelë dhe jo ata që e duan vendin, vlerëson kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke komentuar draft-ligjin e ri për amnisti të paralajmëruar nga pushteti, duke aluduar në të dënuarit për zhvillimet e 27 prillit, për të cilët partia e tij kërkon amnisti prej kohësh.

“Këto të fejsbukut janë mësuar të propozojnë ligje për amnisti me të cilët e kanë për qëllim t’i amnistojnë kriminelët, përpjekjet për vrasje dhe veprat e tjera penale dhe shumë pak mbajnë llogari për ata njerëz që ndodhen në birucat e BDI-së dhe LSDM-së për shkak se kanë ndjenja patriotike dhe e duan Maqedoninë dhe ndaj të cilëve zhvillohet terror politik nga ana e këtyre të fejsbukut dhe nga ana e LSDM-së dhe BDI-së”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se veprat e rënda penale nuk do të amnistohen.

“Të gjitha veprat serioze si vrasje, vjedhje, keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe të tjera, nuk përfshihen në amnisti. A do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja? E para, VMRO-DPMNE-ja nuk mbështet asgjë. Ata kur bllokojnë e bëjnë këtë pa argumente dhe këtë e kanë mënyrë të punës dhe të ekzistencës. Normalisht, secili ligj në Kuvend mund të modifikohet dhe të hapet debat”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Drafti i propozim ligjit për amnisti parashikon që personat e dënuar të cilëve u është shqiptuar dënim me burg deri në gjashtë muaj, plotësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit kurse personat e dënuar me burg mbi gjashtë muaj lirohen nga vuajta e 30% e dënimit. Amnistia, thuhet në draft, nuk ka të bëjë me personat të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm: me dënim me burg të përjetshëm, për vepër penale “Vrasje”, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, për vepra penale kundër lirisë gjinore dhe moralit për vepra penale “Grabitja” dhe “Vjedhje grabitqare”, për vepra penale kundër shtetit, për veprat penale “Mashtrim në dëm të fondeve të Bashkimit Evropian”, “Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”, “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “Të punuarit e pandërgjegjshëm, “Marrja e ryshfetit”,  “Dhënia e ryshfetit”, për vepra penale të kryera gjatë kryerjes së dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Nismën e paralajmëroi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga i cili gjatë vizitës së fundit në Burgun e Idrizovës, thotë se amnistia është e nevojshme dhe urgjente për shkak të kushteve të mjerueshme dhe jashtë standardeve në burgje.

Marketing
Related news