14.8 C
Skopje
Tuesday, May 24, 2022

Vizita e kryediplomatit kinez në Tiranë, Kina dhe Shqipëria zotohen për nxitjen e bashkëpunimit

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi mbërriti të premten në Shqipëri, si pjesë e turneut të tij në katër vende europiane.

Gjatë qëndrimit në Tiranë kreu i diplomacisë kineze zhvillo takime të veçanta me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Gjatë takimit, presidenti shqitpar Ilir Meta tha se Shqipëria është krenare për mbështetjen ndaj Kinës në rivendosjen e statusit të saj të ligjshëm në Kombet e Bashkuara dhe nuk do ta harrojë kurrë ndihmën që Kina i ka dhënë. Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm dhe në të njëjtën kohë ka mbështetur gjithmonë parimin e barazisë midis vendeve të mëdha dhe të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kreu i shtetit shqiptar theksoi në vijim se ka një potencial të madh për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe se Shqipëria është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin konkret me Kinën në fusha të ndryshme, të forcojë bashkërendimin në çështjet shumëpalëshe dhe të nxitë brezat e rinj të të dy vendeve të rritin mirëkuptimin e ndërsjellë, për t’i dhënë një shtysë të re zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Takimi i ministrit Wang me presidentin shqiptar Ilir Meta(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Nga ana e tij, Wang Yi theksoi se 50 vjet më parë, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtarë, përfshirë Shqipërinë, Kina rifitoi me sukses vendin e vet të ligjshëm në OKB. Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për nismën “Një brez, një rrugë”, për të forcuar shkëmbimet njerëzore, arsimore dhe rinore, për të çuar përpara miqësinë midis dy vendeve dhe për të vazhduar hapjen e perspektivave të reja për marrëdhëniet Kinë-Shqipëri.

Të dy palët theksuan edhe nxitjen e potencialit të bashkëpunimit në ekonomi, tregti, investime, turizëm dhe fusha të tjera.

Nga ana e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama tha në takimin me kryediplomatin kinez se miqësia ndërmjet Shqipërisë e Kinës ka një histori të veçantë dhe një ndikim të thellë. Pala shqiptare e respekton Kinën, admiron arritjet e saj dhe vlerëson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në arenën ndërkombëtare. Shqipëria do t’i përmbahet me vendosmëri politikës së “Një Kine” dhe shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme.

Wang Yi tha se “Ne do të kujtojmë gjithmonë mbështetjen e drejtë të Shqipërisë dhe miqësinë e thellë mes dy popujve. Pavarësisht se sa të mëdha janë arritjet tona, ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për barazinë midis vendeve të mëdha e të vogla dhe në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë,” u shpreh kreu i diplomacisë kineze. Ai theksoi se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të promovuar miqësinë tradicionale, për të rritur besimin e ndërsjellë politik e për të thelluar bashkëpunimin.

Takimi i ministrit Wang me kryeministrin shqiptar Edi Rama(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Të dy bashkëbiseduesit shprehën gjithashtu mbështetjen për bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore e Lindore.

Në takimin me homologen e vet shqiptare Olta Xhaçka, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se vizita e tij në Shqipëri ka si qëllim për të shprehur mirënjohjen për kontributin e Shqipërisë në rikthimin e vendit të ligjshëm të Republikës Popullore në Kinës në OKB. “Që atëherë, parimi i ‘Një Kine’ është bërë konsensusi i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare e respektuar në mënyrë universale”, u shpreh Wang Yi.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka uroi për 50-vjetorin e rivendosjes së statusit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në Kombet e Bashkuara. Ajo tha se Shqipëria i përmbahet gjithmonë parimit të “Një Kine”dhe respekton sovranitetin, pavarësinë e integritetin territorial të Kinës, si dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Ajo e falënderoi Kinën për ndihmën afatgjatë për zhvillimin e Shqipërisë dhe për mbështetjen luftën kundër pasojave të tërmetit dhe epidemisë.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për çështje ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët.

Takimi i ministrit Wang me homologen shqiptare Olta Xhaçka(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Wang Yi e përgëzoi Shqipërinë për detyrën si vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit nga viti 2022 deri në vitin 2023 dhe theksoi se pala kineze është e gatshme të forcojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me palën shqiptare në Këshillin e Sigurimit, të promovojë paqen dhe sigurinë dhe të ruajë barazinë dhe drejtësinë.

“Kina ka mbrojtur gjithmonë barazinë midis vendeve të mëdha e të vogla dhe është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të mbështetur qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb e rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, duke praktikuar multilateralizmin e vërtetë”, shtoi kryediplomati kinez.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img