3.8 C
Skopje
Wednesday, December 8, 2021

Vendimi i parë i qeverisë shqiptare: Jo më udhëtime në biznes klas

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti mbledhjen e parë të qeverisë në mandatin e tretë, menjëherë pas betimit në Presidencë. Vendimi i parë i qeverisë së re ishte ai lidhur me kodin etik të qeverisë, i cili duhet të zbatohet nga çdo ministër apo zëvendës i tij. Sipas kodit, anëtarët e qeverisë nuk duhet të udhëtojnë në biznes klas, as që nuk mund të pushojnë jashtë shtetit apo të darkojnë dhe drekojnë në festa kur janë në orar të punës.

“Asnjë udhëtim pune jashtë shteti me lekët e shtetit në qendër apo rajone që nuk ka marrë miratim dhe nuk është njoftuar Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme nuk konsiderohet në përputhje me etikën e qeverisë. Do parashikohen sanksione për çdo shkelje të normave etike. Shpenzimet e vizitave të punës jashtë shteti që nuk mbyllet me dorëzimin në ministri për raportin e vizitës nuk paguhet nga thesari i shtetit”- deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Zëdhënësja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Oriola Pampuri ka reaguar për mbledhjen e parë të qeverisë duke thënë se kryeministri Rama i hedh hi syve të shqiptarëve duke e shfaqur si risi Kodin Etik.

“Propaganda bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan, i darkave te Nusreti dhe hoteleve 700 euro nata, shfaq si risi kodin e etikës që qysh prej 2013-ës përdori për t’u hedhur hi syve, qytetarëve. Të gjithë e mbajmë mend me sa ‘etikë’ u ngrit sistemi nepotik në qeveri, me sa ‘etikë’ vëllezër e kushërinj ministrash gëzuan paprekshmërinë për t’u kthyer në zota të drogës dhe trafiqeve”, thuhet në reagimin e Pampurit.

Kabineti i mandatit të tretë qeverisës të socialistëve përbëhet nga 15 ministri, nga të cilët katër ministra pa portofol. Dymbëdhjetë ministri do të drejtohen nga gratë dhe tri tjera nga burrat. Programi i Qeverisë së re e ka drejtuar fokusin te rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019 dhe menaxhimi i pandemisë, mirëqenia e qytetarëve; modernizimi për zhvillim të ekonomisë prodhuese, familja dhe forcimi i shtetit ligjor.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img