14.3 C
Skopje
Wednesday, May 25, 2022

Takim i kryetares së Gjykatës Supreme, Ademi me kryetarin e GJEDNJ-së, Spano

Shkup, 4 nëntor – Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Robert Spano, sot e vizitoi Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast realizoi takim me kryetaren e gjykatës më të lartë në shtet, Besa Ademi.

Në takim, siç është publikuar në ueb faqen e Gjykatës Supreme, është theksuar roli i Gjykatës në Strazburg për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përkushtimi i Gjykatës Supreme në sigurimin e mbrojtjes gjyqësore efikase  të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Njëherit, në takim është theksuar vlera e bashkëpunimit me Gjykatën në Strazburg si shembull më i spikatur i aktivizmit gjyqësor në krijimin e normave juridike dhe zbatimin e së drejtës.

Në suaza të vizitës, kryetarja e Gjykatës Supreme dhe kryetari i GJEDNJ-së mbajtën fjalime të tyre para gjykatësve suprem.

Në fjalimin e saj Ademi shtoi se Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut shprehu respekt të veçantë ndaj Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe lartë i vlerësoi aktivitetet e ndërmarra deri tani në përmirësimin e sistemit për mbrojtje efektive të të drejtave të njeriut dhe në funksionimin e gjykatës, i cili në Republikën e Maqedonisë së Veriut gëzon reputacion dhe besim të jashtëzakonshëm.

Ademi theksoi se Konventa Evropiane paraqet inspirim të përhershëm dhe burim i pashtershëm i ideve dhe masave konkrete për zhvillim, realizim dhe mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Spano, në fillim të fjalimit të tij shprehu kënaqësi nga vizita e Gjykatës Supreme, duke theksuar se paraqet nder që drejtpërdrejtë në gjykatën më të lartë në shtet do të ketë  mundësi të informohet për funksionimin e sistemit gjyqësor të Maqedonisë dhe për proceset reformuese të filluara.

Ai theksoi se bashkëpunimi i sistemit gjyqësor të Maqedonisë  dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është realitet. Në atë drejtim, kryetari i GJEDNJ-së shfaqi mbështetje  në reformat e filluara në gjyqësi dhe në ligjdhënie.

Në ngjarjen e sotme fjalime mbajtën edhe gjykatësja  Cvetanka Periq, zëvendëskryetare dhe kryetare  e Repartit për vepra ndëshkuese, gjykatësja Snezhana Bajlozova, kryetare e Repartit për praktikë gjyqësore dhe gjykatësja Mirjana Lazarova Trajkovska, kryetare e Repartit për gjykim në afat të arsyeshëm. 

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img