33.8 C
Skopje
Monday, August 8, 2022

Sofja zbutë qëndrimet ndaj Maqedonisë por nuk hapë rrugë drejt BE-së, viti 2021 iku pa datë

Shkup, 15 dhjetor – Vendet anëtare të BE-së në seancën e djeshme të Këshillit për çështje të përgjithshme (GAK) nuk arritën marrëveshje për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në fund të këtij viti, edhe pse publikisht u shpreh se Presidenca sllovene për fillimin e negociatave me të dy vendet këtë vit. Në konkluzionet e takimit nuk është përfshirë afati kohor “deri në fund të vitit” si afat për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shkupin dhe Tiranën.

Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së shprehën kënaqësi për kompromisin e arritur në pjesën e zgjerimit dhe e quajtën “kryevepër aftësinë e BE-së për të ndërtuar kompromis”, siç deklaroi nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jurova.

“Ajo që është e rëndësishme janë konkluzionet e Këshillit, nuk i krahasojmë me projektet paraprake, disa formulime këtu që para dy muajsh e më shumë por meqë negociatat për dokumente të tilla janë shumë të gjata, definitivisht ditën e sotme do ta vlerësoja si sukses”, deklaroi sekretari shtetëror për Çështje Evropiane të Sllovenisë, Gashper Dovzhan.

Ai më tej theksoi se ky “është shembull për frymën e kompromisit dhe bashkëpunim lojal i vendeve anëtare”. “Atë që parimisht e kemi paraparë ta arrijmë nuk ishte e zbatueshme këtë vit dhe kjo është arsye faktike pasi “këtë vit” nuk paraqitet më në konkluzionet”, shtoi Dovzhan.

Në konkluzionet përfundimtare është hequr referenca eksplicite që e lidhë procesin e zgjerimit për Maqedoninë e Veriut me implementimin e Marrëveshjes së Bullgarisë, megjithatë kjo referencë është e pranishme edhe në vetë kornizën negociuese, siç shpjegojnë diplomatët që kanë pasur pasqyrë në kornizë. Sipas tyre, nëse Maqedonia e Veriut vjen deri tek hapi i miratimit të kësaj kornize negociuese ngelet pyetja se si do të udhëhiqet beteja diplomatike në këtë terren që të mos lejohet procesi i negociatave të robërohet nga kontesti bilateral midis Shkupit dhe Sofjes.

Në vigjilje të mbledhjes së djeshme të Këshillit për punë të përgjithshme, kryeministri Zoran Zaev në një bisedë telefonike e ka uruar Kirill Petkov për zgjedhjen e tij si kryeministër i Bullgarisë dhe të dy janë pajtuar që të vazhdojnë punën për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

Në bisedë është shprehur gatishmëria për përshpejtimin e komunikimit dhe bashkëpunimit përmes disa grupeve punuese në sferën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe fusha të tjera me interes për qytetarët maqedonas dhe bullgarë.

“U dakorduam të vazhdojmë të punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për një stimul të ri pozitiv për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, ka shkruar Zaev në Fejsbuk.

Petkov në një intervistë për “Fajnenshëll tajms”, të dhënë para votimit në Parlamentin bullgar paralajmëroi qasje të re drejt vendit, që sipas gazetës londineze paraqet sinjal se Sofja do t’u japë fund obstruksioneve për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Ne jemi 100 për qind për politikën e BE-së dhe të NATO-s. Do të propozojmë qasje të re për Maqedoninë e Veriut dhe kjo duhet të bëhet menjëher, për një periudhë të shkurtër kohore, jo më shumë se gjashtë muaj”, deklaroi Petkov në intervistë.

Petkov deklaroi se qeveria e tij do të vendosë bazë të re të bisedave me Maqedoninë e Veriut. “Do të shfrytëzojmë grupe të punës me qëllim që të gjenden zgjidhje për çështje siç janë aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura dhe historia.

Mediat bullgare dje publikuan se Qeveria e re bullgare do ta mbajë pozitën e vetme ndaj Maqedonisë së Veriut, parashikon pjesa për politikë të jashtme nga marrëveshja e koalicionit të partive politike që e përbëjnë shumicën e re parlamentare dhe qeveritare. Në shtojcën e dokumentit, siç publikuan mediat bullgare, citohet se marrëdhëniet do të përmirësohen “në frymë konstruktive” dhe përshkruhen hapat si do të arrihet kjo.

Hapi i parë është të aktivizohet puna e komisioneve bilaterale të parashikuara me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim përmes kalendarit të takimeve mujore. Është planifikuar formimi i komisioneve afariste (me pjesëmarrje të furnizuesve dhe klientëve nga të dy vendet). Edhe një hap është përforcuar bashkëpunimi në fushën e transportit, mes të cilave janë lidhja direkte ajrore Sofje-Shkup, ndërtimi i Korridorit 8, mbështetja financiare për lidhshmërinë hekurudhore. Është parashikuar intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe kulturës (kalendar i përbashkët kulturor, konferenca të përbashkëta shkencore).

Përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgari, Vllado Buçkovski, lidhur me propozimin e kryeministrit të ri bullgar Kiril Petkov për përshpejtimin e komunikimit dypalësh dhe bashkëpunimit përmes disa grupeve të punës vlerësoi se në takimet e grupeve të punës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në të cilat tema do të ishin infrastruktura, ekonomia, kultura, arsimi….do të mund të tregojmë se ne edhe në periudhën e kaluar kemi bërë përgatitje serioze.

“Në infrastrukturë kemi bërë shumë më tepër se Bullgaria. është fakt se drejtori ynë i Hekurudhave të Maqedonisë, Hari Lokvenec pati disa takime me drejtorin e tyre Papuxhiski, ku përcaktoi dinamikë ku përfundimisht do të ndërtohet hekurudha mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ky do të jetë një ndër projektet më të mëdha infrastrukturore i cili do të kushtojë 650 milionë euro i cili duhet të përfundojë në gjashtë vitet e ardhshme. Nga ana tjetër është fakt se e bëjmë rrugën eksprese Rankovc – Kriva Pallankë. Është fakt se një kohë të gjatë, tashmë dy dekada i presim të ndërtohen të famshmet 12-15 kilometra dhe ta hapim pikën e famshme kufitare Klepalo, që do t’i lidhte Berovën dhe Strumjanin. Për kulturën kemi shumë të flasim. Në pjesën e ekonomisë duhet të shihet pse nuk janë realizuar projeksionet”, tha Buçkovski në Ditarin në Sitel.

Ai vlerësoi se edhe te ne edhe te bullgarët mungon besimi.

“Ky është problemi kryesor nëse e lexoni dhe preferoni deklaratën e tyre të famshme e cila na krijon probleme serioze në dy vitet e fundit. Ne pretendojmë se me atë deklaratë kemi rënë në këtë qorrsokak nga i cili nuk mund të dalim. Ata pretendojnë se është provokuar nga ana jonë sepse Komisioni historik nuk ka punuar sipas pritjeve të tyre”, deklaroi Buçkovski.

Ish-ministrja franceze për çështjet evropiane Natali Loazo vlerësoi dje se BE-ja nuk mund të heqë dorë nga vendet që kanë bërë përpjekje dhe t’u thotë “ju kishit problem me Greqinë dhe tani edhe me Bullgarinë”. “Shkupit duhet t’i jepet një sinjal për të filluar negociatat me BE,” deklaroi Loazo për Radion kombëtare bullgare (BNR) përpara presidencës franceze të Bashkimit në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm.

“Askush nuk thotë se nesër, në vitin 2022, Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në BE. Ne themi se duhet të fillojnë negociatat, gjatë të cilave gjithçka do të vihet në tavolinë. Dhe ata nuk do të ecin përpara nëse të gjitha të e ndërlidhura me të drejtat e njeriut dhe vlerat themelore nuk çohen përpara. Por këtyre njerëzve duhet t’u jepet sinjal, sepse lajkatohen nga Kina, Rusia dhe Turqia. Çfarë duam – që më në fund të na kthejnë shpinën? “Nuk është në interesin e askujt”, tha Loazo.

E pyetur nëse ka pasur një nismë franceze për zgjidhjen e kontestit dypalësh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, Loazo nuk u përgjigj drejtpërdrejt.

“Shpresoj që ky kontest të zgjidhet, sepse dëshiroj që negociatat me Maqedoninë e Veriut të fillojnë së shpejti. Ka bërë përpjekje të mëdha për të përmbushur pritshmëritë evropiane. Shpresoj të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë. Ne e dimë se ka një rrugë të gjatë për të bërë, do të kërkojmë rezultate, sepse ka një metodologji të re për zgjerimin. Por ne nuk mund të heqim dorë nga ato vende që kanë bërë përpjekje dhe t’u themi atyre: ‘Shikoni, ka një problem tjetër. E kishit me Greqinë dhe tani me Bullgarinë.’ Kjo do të krijojë armiqësi ndaj Bashkimit Evropian në zemër të Evropës, sepse gjeografikisht, kulturalisht dhe historikisht Ballkani është pikërisht atje”. tha Loazo.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img