12.8 C
Skopje
Wednesday, September 28, 2022

Shefi i misionit të ENEMO-s flet për zgjedhjet e 17 tetorit, thotë se vendosja e kamerave në vendnumërime rrit transparencën

Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve (ENEMO) ka dërguar pesë ekspertë ndërkombëtarë për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 17 tetorit pas akreditimit zyrtar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës (KQZ).

Shefi i këtij misioni për vëzhgim të zgjedhjeve në Kosovë nga ENEMO, Pierre Peytier gjatë një interviste për Telegrafin ka bërë të ditura detaje në lidhje me punën e tyre në Kosovë.

Ky mision është për herë të katërt në vendin tonë, ndërkaq Peytier thotë se vendi ynë ka avancuar ndër vite sa i përket organizimit të zgjedhjeve.

Shefi i misionit të ENEMO-s, tha se ndryshimi më i madh në këto zgjedhje është për shkak të pandemisë, por sipas tij, vendosja e kamerave në vendet e numërimit të votave do ta rrisë transparencën në zgjedhje.

“Për këto zgjedhje, ajo që kemi dëgjuar shpesh është që janë shumë më paqësore, më demokratike, të qeta edhe nga ana e organizimit… Tash vendosja e kamerave në vendet e numërimit të votave, kjo e rrit transparencën”, thotë Peytier.

“Misioni kësaj radhe është ndryshe nga misionet që kanë qenë më herët në Kosovë. Këtë herë jemi më pak, janë gjashtë ekspertë, pesë këtu e një në Podgoricë, punon online. Të gjithë kanë asistentët e tyre dhe kanë me raportu çfarë do të ndodhë në këtë formë. Pra, Misioni është më i vogël”, tha ai.

Ata do të monitorojnë aspektet kryesore në procesin e organizimit të zgjedhjeve.

“Në po monitorojmë në aspektet më kryesore, për shembull regjistrimin e partive, mbledhjet e KQZ-së, vendimet për Ligje e reforma, në këtë jemi duke u fokusuar”, theksoi Peytier.

Ai ka pasur takime me disa prej politikanëve në Kosovë, ndërkaq temë diskutimi kryesisht ka qenë pandemia.

“Njëra ndër gjërat që kemi vërejtur në diskutim me partitë është që kampanja ka ndryshuar për shkak të pandemisë, fushata në përgjithësi tash bëhet në rrjete sociale”, shprehet ai.

Sikur edhe herëve të tjera, pritet që java e fundit e fushatës të jetë më intensive dhe të ndryshojë.

“Për shkak se javën e fundit ndryshon situata drastikisht, vlerësimi ynë për fushatën online nuk mund të jepet tani”, shprehet ai.

“Ka pasur raste që kanë thyer rregullat antiCOVID, por nuk ka ankesa zyrtare, por presim se do të ketë gjatë kësaj jave dhe javës së zgjedhjeve”, tha për Telegrafin, Peytier.

Peytier theksoi se misioni i tyre është që të garantojë transparencë në zgjedhjet e 17 tetorit.

“Rolin i ENEMO-s është të garantojë transparencë gjatë zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, në akordim me ligjet brenda dhe standardet evropiane që mundohemi t’i shpërndajmë dhe t’i ruajmë”, thekson ai.

Ai u shpreh se “fillimisht i monitorojmë zgjedhjet, pastaj bëjmë raportin me rekomandime, ka pasur rekomandime të viteve të kaluara është interesante se shumica prej tyre nuk janë marrë dhe nuk ka ndryshuar”.

“Sidomos, Ligjet nuk ka ndryshuar, reforma nuk ka ndryshuar. Megjithatë procesi është përmirësuar, e rekomandimet nuk janë adresuar”, theksoi Peytier. 

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img