13.8 C
Skopje
Tuesday, May 24, 2022

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit

Irani është goditur me sanksione të reja amerikane për shkak të furnizimeve me dronë dhe pajisje tjera të grupeve kryengritëse që i mbështet në Irak, Liban, Jemen dhe Etiopi.

Sanksionet e reja janë vendosur ndaj dy anëtarëve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit (IRCG), dy individëve tjerë dhe dy kompanive për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se janë të lidhura me programin e dronëve të IRCG-së.

Njoftimi për sanksionet është bërë nga Departamenti i Thesarit në SHBA, i cili ka thënë se përhapja e këtyre mjeteve nga Irani kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.

“IRGC-ja ka përdorur dhe përhapur dronët, përmes të cilëve janë bërë edhe sulmet ndaj forcave të SHBA-së dhe anijeve ndërkombëtare”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

Dy firmat, Kimia Part Sivan Company dhe Oje Parvaz Mado Nafar Company, së bashku me drejtorin menaxhues të kësaj të fundit, u sanksionuan për furnizim me motorë dhe asistencë teknike për programin e dronëve, tha Departamenti i Thesarit.

“Ne jemi të vendosur të kundërshtojmë të gjithë aktivitetin kërcënues të Iranit dhe atyre që e mbështesin atë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në Twitter.

Sanksionet përfshijnë bllokimin e pasurisë në Shtetet e Bashkuara të individëve dhe subjekteve tjera. Pastaj masa u ndalon amerikanëve të kryejnë transaksione biznesi me këto subjekte ndërsa ata që bashkëpunojnë me këta individë apo kompani përballen me ndëshkime të mundshme.

Sanksionet amerikane u vendosën në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, përgatitej për takime me udhëheqësit evropianë, me të cilët pritet të diskutojë për rifillimin e mundshëm të bisedimeve bërthamore me Iranin.

Biden do të takohet me liderët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë më 30 tetor në Romë gjatë një samiti të Grupit 20-ës. Irani ka thënë se është i gatshëm t’iu kthehet bisedimeve, mirëpo ende nuk ka caktuar një afat se kur mund të ndodhë kjo.

Negociatat u pezulluan në qershor përpara zgjedhjeve në Iran të cilat e sollën në pushtet presidentin e linjës së ashpër Ebrahim Raisi. Pak përparim është bërë në bisedime gjatë gjashtë raundeve të zhvilluara këtë vit.

Marrëveshja mes fuqive botërore dhe Iranit e arritur në vitin 2015 kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimin të sanksioneve ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqen më 2018 nga kjo marrëveshje dhe vendosën sanksione të ashpra ndaj Iranit. Në anën tjetër Teherani filloi me shkeljen e kushteve të marrëveshjes.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img