Shkup, 6 tetor – Në javën e parë të tetorit, kur festohet Java Botërore e Fëmijëve, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska vizitoi fëmijët nga Qendra e Kujdesit Ditor për fëmijët në rrezik në lagjen Shuto Orizare të Shkupit. Duke uruar një fëmijëri të lumtur për të gjithë fëmijët, Shahpaska tha se kujdesi për më të rinjtë, veçanërisht fëmijët që vijnë nga familje në rrezik social, është lartë në agjendën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Sipas Ministres, në atë drejtim, MPPS me Ligjin e ri për Mbrojtjen Sociale, mundësoi zbatimin e reformës e cila jep një përgjigje efektive në fushën e kujdesit, veçanërisht për fëmijët në rrezik.
Me Ligjin e ri për Mbrojtjen Sociale, Qendra e Kujdesit Ditor për fëmijët në rrezik është qendra e parë e licencuar, e cila ofron shërbimin e qëndrimit ditor të fëmijëve në rrezik – fëmijët e rrugës. Qendra është e hapur çdo ditë nga ora 8 deri në orën 16 dhe ka kapacitet të kujdeset për 68 fëmijë, në disa grupe nga 6 deri në 15 vjeç.
Në Qendrën organizohen punëtori me prindërit në tema të ndryshme që korrespondojnë me problemet me të cilat ata përballen në jetën e tyre.
Vendi ynë në vitin 2011 e ratifikoi Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, sipas së cilës të gjithë fëmijët kanë të drejtën e mbrojtjes së shëndetit të tyre, arsimit fillor falas, të drejtës për një edukim të mirë, për të shprehur mendimet e tyre lirshëm, por mbi të gjitha të dëgjohen.
Për të forcuar rolin e familjeve kujdestare, janë hapur dy qendra të reja në Shkup dhe Manastir, të cilat kanë për detyrë të mbështesin familjet që kujdesen për fëmijët pa prindër.
Nënkryetari i Shoqatës së Qytetarëve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Oliver Baçanoviq, u falënderua për vizitën e sotme dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe shprehu kënaqësinë për përpjekjet e përbashkëta në interes të fëmijëve në rrezik.