11.8 C
Skopje
Saturday, April 20, 2024

Regjistruesit janë në terren dhe do ta vizitojnë çdo amvisëri, ESHS apelon te qytetarët për durim

Shkup, 23 shtator –  Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut 2021 , po i afrohet fundit. Mbeten edhe tetë ditë dhe regjistruesit me intensitet maksimal  i vizitojnë amvisëritë që askush të mos mbetet i paregjistruar, informojnë nga Enti Shtetëror për Statistikë.

Enti Shtetëror për Statistikë apelon te qytetarët për durim, duke potencuar se regjistruesit janë në terren dhe do ta vizitojnë çdo amvisëri.

“Do të dëshironim t’i përkujtojmë qytetarët se duhet t’i kontrollojnë autorizimet e regjistruesve dhe t’i pranojnë vetëm ata të cilët kanë autorizim nga Enti Shtetëror për Statistikë. Gjithashtu,  do të dëshironim të përkujtojmë se të dhënat e Regjistrimit janë vetëm qëllime statistikore dhe do të publikohen  vetëm në mënyrë të grumbulluar, ndërsa asesi si të dhëna personale. Askush nuk do të ketë qasje te të dhënat personale, ndërsa gjithë procesi i përpunimit do të automatizohet dhe pa kurrfarë subjektivizmi”, thuhet në kumtesën e ESHS-së.

Nga ESHS potencojnë se asnjëherë deri tani,  ndërsa as prej tani, as nuk kanë dhënë as nuk do të jepen ç’farëdo lloj vërtetime për të dhënat në Regjistrim as në disa hulumtime tjera që i zbaton ESHS dhe me të cilat  mblidhen të dhënat personale.

“Përgjigjet e pyetjeve të ndjeshme – për përkatësinë etnike, për besimin dhe për gjuhën amë paraqesin bindje personale të çdo qytetari dhe regjistruesit (ose dikush tjetër)nuk guxojnë të sugjerojnë përgjigje. Regjistruesit kanë për detyrë  të mundësojnë kontroll në të dhënat e futura, ndërsa çdo qytetar duhet ta ndjek procesin e regjistrimit dhe të shikojë  çka vendos në aplikacion regjistruesi, Nëse dikush bën presion  në ç’farëdo lloj baze, qytetari ka të drejtë ta paraqesë rastin”, tregojnë nga ESHS.

ESHS apelon te qytetarët të mos u nënshtrohen provokimeve dhe presioneve dhe në Regjistrim t’i japin të dhënat të cilat kërkohen nga ata,  lirshëm, me besim dhe sipas ndjenjës së tyre.

“Ta përfundojmë këtë aktivitet të cilin e pritëm kohë të gjatë për të mirën e të gjithëve, sepse suksesi varet nga të gjithë ne”, thuhet në kumtesën e ESHS-së.

Marketing
Related news