19.8 C
Skopje
Friday, October 4, 2024

Qeveria: Ura e Ibrit duhet të hapet, është në shërbim të të gjithëve dhe kundër askujt

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot kryeministri Albin Kurti, ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Në komunikatë thuhet se në takim është diskutuar edhe mbi zbatimin e marrëveshjes së urës së Ibrit, duke ritheksuar se hapja e urës duhet të ndodhë dhe se kjo nuk është kundër askujt, transmeton Telegrafi.

“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër.

Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë.

“Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, vijon njoftimi.

Më tutje, Qeveria shton se “Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”.

Në komunikatë po ashtu bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për zhvillimet në vend dhe temat aktuale.

“Kryeministri i njoftoi me rezultatet e masave dhe politikave të punësimit dhe mirëqenies në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, konkretisht me masën “Qeveria për Familjet”, në kuadër të së cilës deri më tani është ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimi i 231 personave në këto komuna.

Ndërkohë që interesimi i qytetarëve nga radhët e komunitetit joshumicë serb për t’u pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e sidomos në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, si dëshmi e vullnetit dhe interesimit të tyre për integrim të qëndrueshëm”, vijon komunikata.

Ndryshe, sot pas takimit, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, nuk e përkrahin asnjë ndërrim të statusit të urës së Ibrit.

Ura mbi lumin Ibër e cila simbolizon ndarjen e qytetin të Mitrovicës, është e hapur vetëm për këmbësorë.

Në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë, ekziston marrëveshja e cila parasheh hapjen e saj edhe për trafik.

Marketing
Related news