Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka marrë urdhër për zbatimin e procedurës hetuese ndaj një 18-vjeçari nga Shkupi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale “Marrje e automjetit”. Me marrjen e automjetit ka kryer veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa më pas edhe vepër penale “Mosdhënie e ndihmës personit të lënduar në aksident trafiku”.
Siç kumton Prokuroria publike më 30 gusht të këtij viti, nga parkingu para objektit që ndodhet në bulevardin “Brigada e tretë maqedonase” personi në mënyrë të kundërligjshme ka marrë automjetin me qëllim që ta përdorë për vozitje. Duke drejtuar veturën e vjedhur “Alfa Romeo” me targa të Shkupit në bulevardin “Boris Trajkovski” i dyshuari nuk ka respektuar rregullat dhe me këtë ka rrezikuar komunikacionin publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Automjetin e ka vozitur pa patentë shoferi, ndërsa shpejtësinë e automjetit nuk e ka përshtatur me kushtet e rrugës, dendësinë e trafikut dhe kushtet tjera të komunikacionit, ka humbur kontrollin mbi timonin dhe automjeti ka dalë nga rruga në trotuar në anën e djathtë, ku ka goditur trupin e një këmbësori. Si pasojë e goditjes, e dëmtuara e cila ka lëvizur si këmbësore në trotuar, ka marrë lëndime të rënda dhe më pas ka ndërruar jetë.
Pas goditjes, pa i ofruar ndihmë viktimës i dyshuari ka vazhduar të vozisë, sërish ka humbur kontrollin mbi timonin e makinës dhe ka goditur një gardh metalik. Ai ka lënë veturën dhe është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur nga organet e përndjekjes.
“Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë në rrezik për arratisje dhe rrethana të veçanta që arsyetojnë frikën se i dyshuari do ta përsërisë veprën penale, prokurori publik deri te gjykatësi në procedurë paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup pasdite do të dorëzojë propozim për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në kumtesën e PP-së.