6.8 C
Skopje
Friday, March 29, 2024

Propozimi i ZRRE-së, tabelat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

Duke e marrë për bazë një zotim të Qeverisë së Kosovës se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

Subvencioni i dhënë nga Qeveria efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj, thuhet në raport.

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800 kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.

Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE-ja e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera. Në këtë rast, ZRRE propozon që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesorë të rritet çmimi i rrymës me 9 për qind.

Rritje e çmimit të rrymës me 9 për qind është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj.

Në këtë rast, gjithashtu propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Konsumatori që shpenzon 300 kWh në muaj vlerësohet si konsumator që shpenzon energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat esenciale për një familje katër anëtarësh. Gjatë vitit, 20.5% e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj, sipas ZRRE-së. Këta konsumatorë futen në kategorinë A.

Konsumatori që shpenzon 450 kWh në muaj paraqet konsumin mesatar të një konsumatori të amvisërisë gjatë vitit.

Bazuar në të dhënat e KEDS-it, konsumi mesatar (nga viti 2012 – 2020) nga amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj, është ~ 460 kWh/muaj. Konsumi mesatar më 2021 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. Këta konsumatorë futen në kategorinë B.

Konsumatori me konsum 600 kWh në muaj paraqet konsumin bazik minimal të një konsumatori me ngrohje elektrike gjatë dimrit, në bazë të analizave gjatë vendosjes së bllokut në tarifat e kaluara, 69 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj gjatë vitit, dhe 79 për qind të konsumatorëve nuk e kalojnë këtë nivel gjatë muajve të verës. Këta konsumatorë futen në kategorinë C.

Konsumatori që shpenzon 800 kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum mbi bllokun e propozuar. Këta konsumatorë futen në kategorinë D.

Konsumatori që shpenzon 1000 kWh në muaj paraqet një konsumator me konsum më të lartë të energjisë elektrike. Këta konsumatorë futen në kategorinë E.

Marketing
Related news