26.8 C
Skopje
Saturday, August 13, 2022

Për tre vjet, 226 ushtarë profesionistë e kanë braktisur punën vullnetarisht, policë asnjë

Shkup, 15 qershor – Na ishte një kohë para 10-15 viteve, kur të rinjtë lutnin për punë, ndërsa punëdhënësit “talleshin” me punëtorët duke i pranuar në periudhë të shkurtër me rroga prej 9000 denarëve, dhe duke mos ua dhënë të gjithat, me arsyetime se kanë gabuar gjatë kryerjes së detyrave.

Sot, pas 10-15 viteve, kjo dukuri ka marë një kthesë prej 180 shkallëve. Sot, jo që të rinjtë lusin dikë për punë, por madje ndodhë e kundërta, punëdhënësit lusin për punë, por nuk gjejnë dotë punëtorë. Pse? Sepse tani të rinjtë (ata që kanë ngelur këtu) janë mbushur me mend, dhe nuk pranojnë çfarëdo kushti për punë, por pranojnë vetëm me kushtet e veta, shkruan Zhurnal.

Ata punonjës që nuk janë të kënaqur me trajtimin apo me pagën në punën që vepron, pa menduar dy herë braktisin vendin e punë sepse e dinë se tani nuk ka fuqi punëtore dhe shumë lehtë mund ët gjejë një vend tjetër pune.

Braktisja e punës nuk është fenomen që ndodhë vetëm në sektorin privat. Ajo ndodhë edhe në sektorin shtetëror. Qindra e mijëra punëtorë para pak muajsh u larguan nga puna nga ndërmarjet publike të Qytetit të Shkupit, përshkak se erdhi kryetarja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Danella Arsovska, dhe duheshte të punësojë “militantë partiak” të DPMNE-së. E njejta ndodhë edhe kur vjen LSDM në pushtet përshembull, i largon ato të VMRO-DPMNE-së, dhe i punëson militantët e vet.

Kohëve të fundit, në polici kishte konkurs për pranimin e 600 punëtorëve. Spasovski tha se mbi 800 punonjës policie do të dalin në pension dhe kjo shifër duhet të mbulohet me pranimin e policëve të rinjë.

Edhe Armata e shtetit gjithashtu ka publikuar konkurse vazhdimisht çdo vit, duke pranuar nga 120-130 ushtarë.

Edhe në Armatë, normalisht vie dite që nëpunës të armatës të dalin në pension, mirëpo ka edhe prej atyre që vullnetarisht braktisin vendin e punës për arsye të ndryshme. Kush për shkaqe të kushteve, e kush përshkak se ka gjetur një vend pune më të mirë jashtë vendit.

Agjencia e lajmeve Zhurnal kërkoi të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes, për atë se sa nëpunës të mbrojtjes kanë braktisur vendin e punës vullnetarisht në tre vitet e fundit, ndërsa nga Ministria e Mbrojtjes shprehen se kjo dukuri, viteve të fundit ka shënuar përmirësim.

Nga Ministria e Mbrojtjes informojnë për Zhurnal se në tre vitet e fundit, gjithsej 226 pjesëtarë të armatës e kanë braktisur punën e tyre vullnetarisht.

“Evidenca e daljes së pjesëtarëve të Armatës së RMV-së në vitet e fundit tregon se ka tendencë serioze të uljes, e cila vjen si rezultat të politikave të Ministrisë dhe Qeverisë për avansimin e standardeve të pjesëtarëve ët Armatës, respektivisht, përmirësimin e kushteve për punë dhe përmirësimin e statusit të pjesëtarëve të Armatës.

Kjo mund të shihet qartë nga shifrat. Në tre vitet e fundit (2019,2020,2021) gjithsej 226 pjesëtarë të Armatës vullnetarisht e kanë braktisur Armatën. Sipas viteve, gjendja është si në vijim: 2019 gjithsej 116, ndërsa vitet 2020 dhe 2021 bashkarisht gjithsej 110 pjesëtarë. Sa i përket kategorisë së të punësuarve (oficerë, nënofierë, ushtarë profesionistë dhe persona civil në Armatë) shumica janë ushtarë profesionistë”, njoftuan për Zhurnal nga Ministria e Mbrojtjes.

Por si qëndrojnë punët në polici? Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme, si duket në këtë resor punët janë më “mjaltë”. Duke kërkuar të dhëna për tre vitet e fundit, për atë se sa punonjës policie e kanë braktisur vendin e punës vullnetarisht, nga MPB na informuan se këtë gjë nuk e ka bërë asnjë polic. Në tre vitet e fundit, asnjë polic vullnetarisht nuk e ka braktisur vendin e punës.

“Ju informojmë se sipas të dhënave, respektivisht dokumentacionit të ministrisë, nuk ka nëpunës të policisë që vullnetarisht kanë ikur nga ministria”, thuhet në përgjigjen e MPB-së drejtuar Zhurnal.

Ndryshe kohëve të fundit, paga minimale u rrit në 18,000 denarë, mirëpo këto 18,000 denarë, tani vlejnë sa 12,000 denarë sa ishte paga minimale para 5-6 viteve. Kjo nga shkaku se shumë produkte ushqimore, derivatet, rryma elektrike dhe ngrohja qendrore janë shtrenjtuar. Të rinjtë në vendin tonë së fundmi janë lodhur duke pritur për një vend pune në administratat shtetërore, dhe kështu ose marin rrugët e gurbetit, ose i futen sektorit privat, edhe pse, edhe në këtë të fundit ka mungesë të punëtorëve.

Paga mesatare e ushtarëve profesionistë lëvizë nga 20,500 denarë deri në 37,500 denarë. Policët gjithashtu marin nga 22,135 denarë deri në 36,702 denarë./Zhurnal.mk

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img