26.8 C
Skopje
Wednesday, July 6, 2022

Pekini fton përfaqësuesit e Palestinës e të Izraelit të zhvillojnë bisedime në Kinë

Pala kineze përsëriti të enjten ftesën për përfaqësuesit e Palestinës dhe të Izraelit të shkojnë në Kinë për bisedime të drejtpërdrejta.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian u shpreh në një konferencë të rregullt shtypi se, si vendi kryetar i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina e konsideron trajtimin e konfliktit të tanishëm palestinezo-izraelit si përparësi të punës.

“Kina ka bërë të gjitha përpjekjet për të nxitur një veprim unanim në këtë çështje brenda Këshillit të Sigurimit. Por, për shkak të pengesës nga ShBA-ja, Këshilli nuk ka arritur asnjë marrëveshje deri tani,” tha Zhao Lijian.

Zëdhënësi u shpreh se përpjekjet e Kinës për realizimin e paqes nuk kanë përfunduar, duke theksuar se Kina ka marrë pjesë aktivisht në ndërmjetësimin dhe pajtimin nëpërmjet kanaleve të veta.

I dërguari i posaçëm i Kinës për çështjet e Lindjes së Mesme Zhai Jun ka zhvilluar biseda telefonike me zyrtarë të punëve të jashtme të Palestinës dhe të Izraelit për përfundimin e konfliktit.

Zhai Jun bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe ritheksoi angazhimin e vendosur të Kinës për një shtet palestinez përkrah shtetit të Izraelit.

Sipas zëdhënësit Zhao Lijian, i dërguari i posaçëm kinez pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë izraelitë, rusë, të OKB-së dhe të BE-së për këtë çështje.

“Për sa kohë konflikti në Lindjen e Mesme nuk përfundon, nuk do të ndalojnë as përpjekjet e Kinës për nxitjen e paqes dhe të pajtimit,” tha Zhao Lijian.

Zëdhënësi tha gjithashtu se në të ardhmen, Kina do të organizojë seminare për njerëzit paqedashës nga Palestina e Izraeli dhe mirëpret zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Palestinës e Izraelit në Kinë. Pala kineze vlerëson përpjekjet e palodhshme të Egjiptit dhe të palëve të tjera ndërkombëtare për realizimin e armëpushimit dhe dëshiron të forcojë komunikimin e koordinimin me palët e ndryshme për paqe. Kina do t’i japë Palestinës ndihmë humanitare dhe të tjera brenda mundësive.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img