Shkruan: Bexhet Musliu
Muzika “rep” dhe patikat e blerta ishin imazhi i BDI-së në rrethin e parë zgjedhor, kurse autor i këtij imazhi ishte zëvendës kryeministri Artan Grubi. Mirëpo kjo strategji me gjasë rezultoi e dështuar, sepse në komunat ku Grubi bëri rep me patika të blerta, BDI kaloi më keq se në komunat ku Grubi u “soll” më pak.
Kjo po konfirmohet edhe në strategjinë e fushatës së BDI-së mes dy rretheve zgjedhore. Artan Grubi është shumë më pak prezent se para rrethit të parë. Edhe aty ku është prezent, paraqitet më serioz, e jo me patika të blerta e as me videoklipe ‘rep’.
Sipas mendimit tim, kjo është dëshmi se strategjia Artan Grubit në rrethin e parë u tregua e gabuar. Prandaj ndryshimi ishte i domosdoshëm.
Tash në plan të parë është kryetari i BDI-së, Ai Ahmeti. Mirëpo pasi u shpall e “vdekur” PR strategjia e Artan Grubit nga rrethi i parë, tani është ringjallur Ismail Qemajli.
I hipur mbi kalë, Ismail Qemajli është kyçur “full time” në fushatën e BDI-së, përmes profileve të aktivistëve të kësaj partie në facebook.
Por tani edhe Ismail Qemajli është i habitur nga fushata e BDI-së.
Fjalët dhe thëniet e tij të lavdishme për shqiptarët, tani në fushatë po i përdor e njëjta parti (BDI), që për të fituar vota në Gostivar, mbrëmë u stolisën me flamuj turq, sikur të ishin jeniçerë të Sulltanit. E Ismail Qemajli i shkretë ka rënë në hall dhe nuk po din si t’i definojë – si “shqiptarë bij shqiptari”, apo si “arnautë që u është bërë gjaku ujë”.
Nuk e ka lehtë Ismail Qemajli. Po e kemi vështirë ne të gjallët, e lëre më Ismail Qemajli që ka vdekur para 100 e më shumë viteve.