0.8 C
Skopje
Wednesday, January 19, 2022

Pandemia rrit numrin e rasteve sociale

Shkup, 4 dhjetor – Pandemia e koronavirusit ka rritur numrin e rasteve sociale në Maqedoninë e Veriut, tregojnë të dhënat zyrtare.

Shumë persona ankohen se nuk arrijnë të gjejnë punë, për të përmbushur nevojat më elementare për familjet e tyre.

Ata janë të pakënaqur edhe me asistencën sociale, meqë, siç thonë, me paratë që marrin, nuk arrijnë të blejnë as gjërat më elementare për jetë, për shkak të rritjes së çmimeve të prodhimeve.

Nevzat Kamberi, një i papunë nga Shkupi, thotë se një familje dyanëtarëshe, vetëm për bukë në muaj, shpenzon gati çerekun e asistencës sociale që merr nga shteti.

“Çmimet e prodhimeve ushqimore janë shumë të larta për qytetarët, në veçanti për ata që marrin ndihma përmes entit social. Çfarë prodhimesh do të blejnë me paratë që marrin? Me çfarë do t’i ushqejnë familjet e tyre? Vetëm për bukë, për dy anëtarë të familjes duhet të shpenzojnë 1,600 denarë [rreth 25 euro] në muaj. Çfarë të bëhet me anëtarët e tjerë”, thotë Kamberi.

Sipas Ligjit për Mbrojtje Sociale në Maqedoninë e Veriut, ndihma sociale minimale për një person është 4,000 denarë (afro 65 euro).

Ndihma sociale rritet për çdo anëtar tjetër të familjes me nga 2,000 denarë.

Marija Stavrevska, nga Shkupi, thotë se jeton me bashkëshortin dhe djalin e saj dhe se merr 10,000 denarë (rreth 160 euro) ndihmë sociale.

Me këto para, thotë ajo, nuk arrin t’i mbulojë shpenzimet për bukë dhe faturat për energji elektrike, ujë, telefon dhe mjete për pastrim.

“Çmimet janë rritur në mënyrë drastike. Nuk gjen, qoftë edhe një prodhim ushqimor, me çmimin e para dy-tre muajve. Të mos flasim për periudhën para pandemisë [para marsit, 2020], pasi ka prodhime që edhe janë dyfishuar”.

“Është rritur çmimi i bulmetrave, çmimi i mishit, vaji thuajse është dyfishuar, sikur edhe ushqimet e tjera. Pagat kanë mbetur në nivelin e njëjtë sikur edhe ndihmat sociale. Çfarë të bëjmë me këto para, t’i shlyejmë faturat, të blejmë ushqime, apo të blejmë ilaçe? Kurrë nuk kemi qenë në situatë më të rëndë”, thotë Marija.

Kriza ekonomike në Maqedoninë e Veriut ka marrë hov gjatë pandemisë së koronavirusit, kur, si pasojë e mbylljes së vendit dhe masave të tjera shtrënguese, janë shuar rreth 6,000 biznese, ndërsa mijëra njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut, Jagoda Shahpaska, thotë se pandemia e koronavirusit gjatë vitit 2021 ka rritur numrin e përfituesve të ndihmës sociale për rreth 8,500 familje, ndërsa pret që ky numër të vazhdojë të rritet edhe vitin e ardhshëm.

“Gjatë vitit 2020, rreth 35,000 familje kanë qenë përfituese të ndihmës sociale, ndërsa në vitin 2021 listës i janë shtuar edhe 8,500 familje të reja. Meqë kriza me pandeminë do të zgjasë, pritet që numri i përfituesve të ndihmës të rritet me 5,500 shfrytëzues të rinj”, thotë Shahpaska.

Në ndihmë të rasteve sociale në Maqedoninë e Veriut kanë dalë disa organizata joqeveritare, ndër to edhe shoqata “Mirësia”, e cila ofron edhe ushqim për personat në nevojë, të papunët e kategori të tjera.

Toni Stankovski, nga kjo shoqatë, thotë se numri i rasteve sociale është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

“Rritjen e numrit të rasteve sociale e vërejmë me rritjen e numrit të atyre që ne u ofrojmë ushqim, si sanduiçë e ushqim tjetër, jo vetëm rasteve sociale, por edhe personave tjerë në nevojë. Për dallim nga viti i parë i pandemisë, tani kemi rritje të numrit të atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë”, thotë Stankovski.

Ai thotë se para pandemisë, e cila ka shpërthyer në mars të vitit 2020, në Maqedoninë e Veriut ka pasur rreth 120,000 persona shfrytëzues të ndihmës sociale, ndërsa me të dhënat e fundit të Ministrisë së Punës, ky numër është rritur në 150,000.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, gjatë vitit 2020, rreth 22 për qind e popullatës 2-milionëshe të Maqedonisë së Veriut kanë jetuar në prag të varfërisë.//REL

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img