Shkup, 21 shtator – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Sekretarit amerikan të shtetit, Entoni Blinken mori pjesë në darkën tradicionale transatlantike e cila u mbajt në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në ngjarje morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.
Në fokus të bisedimeve, siç informon MPJ kanë qenë sfidat aktuale me të cilat përballet komuniteti transatlantik, veçanërisht në kontekst të pasojave të agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili ka minuar rendin juridik ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ka shkaktuar rritje të paqëndrueshmërisë në fqinjësinë e Aleancës. Njëherësh u diskutua edhe prioritetet për veprim në marrëdhëniet transatlantike dhe vendimet e rëndësishme të marra në Samitin e Vilnusit për të ardhmen e Aleancës së NATO-s.
Në fjalën e tij, Osmani e rikonfirmoi mbështetjen tonë të plotë për Ukrainën dhe theksoi se ofrimi i ndihmës praktike, sa të jetë e nevojshme, mbetet prioriteti ynë. Gjithashtu, ai theksoi se mbështetja jonë e pakushtëzuar për popullin ukrainas u theksua edhe një herë me miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Mbështetjes për Ukrainën nga shtetet anëtare të A5, në takimin e djeshëm të mbajtur në kuadër të presidencës sonë me SHBA-Karta e Adriatikut.
Osmani iu referua edhe situatës aktuale në rajonin tonë dhe nevojës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe evropian.