13.8 C
Skopje
Tuesday, May 24, 2022

MPJ: Pesë mijë vizitorë për një ditë në pavijonin e Maqedonisë së Veriut në Dubai Expo 2020

Shkup, 30 tetor – Pavijoni i Republikës së Maqedonisë së Veriut dje në Dubai Expo, në të cilin janë prezantuar veçoritë kulturore, atraksionet turistike, trashëgimia e pasur historike, si dhe shumëllojshmëria etnike, ka shënuar numër rekord të vizitorëve, prej afro pesë mijë personave, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.

Maqedonia e Veriut merr pjesë në ngjarjen më të madhe botërore për këtë vit – DUBAI EXPO 2020 me sloganin “Shtëpi në çdo hap”, dhe nën moton “Mundësi të reja”.

“Vizitorë të shumtë nga mbi 190 vende të botës kanë një mundësi unike për t’u njohur drejtpërdrejt me kulturën dhe traditën e vendit tonë, si dhe me pasuritë natyrore dhe potencialin turistik. Janë ekspozuar terakota, artefakte, kostume tradicionale, materiale promovuese dhe video prezantime të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Vëmendje e veçantë i kushtohet mundësive për bashkëpunim ekonomiko-tregtar, si dhe potencialit investues dhe afarist të vendit, për shkak të të cilit janë ngritur panele informuese shtesë për zonat e lira ekonomike, inovacione, bujqësinë, energjinë dhe turizmin.

MPJ-a potencon se përfitimet nga pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në DUBAI EXPO 2020 janë shumëdimensionale. Ato mundësojnë, mbi të gjitha, rritjen e vizibilitetit të vendit në rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe në mbarë botën, rritjen e numrit të turistëve të huaj, krijimin e një rrjeti kontaktesh biznesi dhe mundësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me shumë vende të rajoneve të ndryshme të botës.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img