19.8 C
Skopje
Friday, October 4, 2024

Miratohen koeficientët e rinj. Kush del në pension pas 1 korrikut të këtij viti do të marrë më tepër para

Të moshuarit që do të dalin në pension pas 1 korrikut të këtij viti do të marrin më tepër para. Qeveria ka miratuar koeficientët e rinj të rivlerësimit të pagave për efekt të llogaritjes së pensionit.

Nga 10,799 që ishte, koeficienti mbi të cilin do të llogaritet paga për ata që kanë vite pune para vitit 1994 bëhet 12,257. Nga ndryshimi preken nivelet e pagave të 83 profesioneve.

Kujtim Hoxha, ekspert i sistemit të pensioneve, shprehet për A2 CNN: “Për të llogaritur një pension bëhet grumbullimi i periudhës së punës para vitit 1994 me pagë referuese dhe pas ’94 me pagat që ka realizuar dhe ka derdhur kontributet çdo qytetar. Kontributi gjithsej i individit bëhet me indeksimin e këtyre koeficientëve”.

Kështu, një ish-shofer transporti nëse del tani në pension, paga e tij para vitit 1994 e përllogaritur me koeficientin e ri do të jetë 39 668 lekë. Nëse ai do të dilte në pension para 1 korrikut, paga mbi të cilën do të llogaritej pensioni i tij do të ishte 34 913 lekë, 4 755 lekë më pak.

“Vetëm për efekt të koeficientëve, nëse personi do të dilte para 1 korrikut në pension, do të merrte rreth 13% më shumë”, thotë Hoxha.

Ndërkohë, koeficienti mbi të cilët llogaritet paga për efekt pensioni kanë ndryshuar edhe për periudhën pas vitit 1994. Për dy vitet e fundit, 2023 dhe 2024, nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë. Por, a reflektohen këto ndryshime te të moshuarit që marrin tashmë prej kohësh një pension?

“Personi që ka dalë në pension para 1 korrikut do të marrë vetëm indeksimin e pensioneve që është parashikuar të ndodhë në muajin tetor”, shpjegon Hoxha.

Rivlerësimi i pagave, mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet, u jep mundësi të gjithë atyre që dalin rishtazi në pension të përfitojnë më tepër. Kjo, pasi krahas portofolit kontributiv, peshë ka edhe paga mbi bazën e së cilës janë derdhur kontributet. Sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor.

Marketing
Related news