13.8 C
Skopje
Tuesday, May 24, 2022

Mickoski: Nëse nuk arrij të formoj qeveri efikase, opsioni i vetëm janë zgjedhjet e shpejta

Shkup, 6 nëntor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski paralajmëroi se deri të hënën do të presin kryeministri Zoran Zaev ta parashtrojë dorëheqjen në Kuvend. Nëse kjo nuk ndodhë, paralajmëroi se do ta fillojnë procedurën për nismë për dorëheqje të Qeverisë. Thotë se shumica është siguruar në mënyrë që të bjerë kjo Qeveri, dhe se do të tentojë të formojë qeveri politike efikase, të aftë të përballet me sfidat ekonomike, energjetike dhe shëndetësore. Nëse nuk do të arrij ta bëj atë, opsioni i vetëm është të shkohet në zgjedhje të parakohshme të shpejta.

“Kjo do të thotë se në periudhën që pason do të tentoj, përsëris, do të përpiqem të formoj qeveri të re dhe kjo do të ndodhë vetëm nëse jam i sigurt se ajo do të jetë qeveri e kredibilitetit serioz, qeveri me institucione të fuqishme të cilat garantojnë stabilitet, energji të re dhe efikasitet në reformat dhe problemet që pasojnë. Nëse nuk arrihet ky qëllim drejt të cilit synoj dhe nuk siguroj efikasitet të plotë të qeverisë të nevojshme për përballje me krizat, luftë kundër korrupsionit dhe krimit, të cilat janë problemet kyçe në shtetin tonë, atëherë ajo që na mbetet si opsion i vetëm janë zgjedhjet e shpejta parlamentare për popullin e Maqedonisë të vendosë për të ardhmen e re”, tha në konferencën e sotme për shtyp Mickoski.

Ai shtoi se 61 deputetë janë nënshkruar se kjo Qeveri e kryesuar nga LSDM dhe Zoran Zaevi tashmë nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet.

“Thoshin se është e pamundur, por treguam se së bashku mund të bënim shumë më tepër. Në tryezë të njejtë me të gjitha dallimet tona, por me një qëllim të vetëm, e ai qëllim është përparimi për popullin dhe për Maqedoninë. Ta nxjerrim shtetin nga kriza dhe të sjellim të ardhme të re. Bashkarisht dhe të bashkuar. Sepse populli i Maqedonisë me të gjitha dallimet mes veti, ka brengë të përbashkët, ndajmë probleme të njejta. Është koha që ndarjet dhe konfliktet të ndalojnë, muret në shoqëri t’i rrëzojmë. Është koha për ndryshime çfarë dëshirojmë t’i kemi dhe për të cilat do të luftojmë”, tha Mickoski.

Tani për tani, tha edhe përkundër presioneve të cilat disa nga deputetët i kanë me qëllim që të tërhiqen, nuk ka informata se kjo mund të ndodhë.

Lidhur me formimin e qeverisë së re, ai theksoi se do të kishte dashur të formojë qeveri politike e cila do të ketë kapacitet të plotë, ta shtyjë mandatin deri në vitin 2024, të zbatojë reforma, do të zbatojë gjithçka që nevojitet dhe për çka angazhohet.

“Nëse kjo nuk ndodhë, zgjedhjet e shpejta parlamentare janë të pashmangshme, sepse populli në Maqedoni dëshiron të shohë zgjidhje”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski paralajmëroi se do të realizojë takim liderësh me liderët e partive politike të cilët qëndruan prapa kësaj nisme për formim të qeverisë me shumicë të re. Ai njëherit u bëri thirrje edhe partive të tjera politike të cilat dëshirojnë t’i bashkangjiten kësaj nisme, të vijnë në takim.

“Unë do të thërras takim të liderëve, me liderët e partive politike të cilët qëndruan prapa kësaj nisme për formim të Qeverisë e cila do të ketë shumicë politike. Për një takim të tillë të liderëve, po do të thërras, ndërkaq u bëj thirrje edhe partive të tjera politike të cilat dëshirojnë të bashkangjiten, të vijnë, të ulemi dhe të[ bisedojmë sepse janë kohë të vështira për Maqedoninë dhe duhet të punojmë seriozisht, në mënyrë që të mund të dalim nga ky moçal në të cilin na shtyu Qeveria aktuale e kryesuar nga LSDM-ja”, tha Mickoski në konferencën e sotme për shtyp, në përgjigje të gazetarëve.

I pyetur çka nëse LSDM nuk mbështetë mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, lideri i VMRO-DPMNE-së theksoi se kjo temë fillimisht duhet të hapet, të shihen argumentet e atyre të cilët janë për dhe të atyre që janë kundër dhe atëherë mund të komentohen.

Nëse vjen deri te kjo të bisedohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç përmendi, atëherë do të ulet në tryezë me liderët e të gjitha partive politike dhe do të bisedohet në atë temë dhe të dakordohet datë për mbajtje të atyre zgjedhjeve.

Në pyetjen se kush do t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme, Mickoski tha se në pajtim me ligjin, do të formohet qeveri teknike, ku do të zgjidhet kryetari teknik.

“Në pajtim me ligjin, Kodin zgjedhor, ka qeveri teknike, përkatësisht e Përzhinës, prej njëqind ditëve para organizimit të çfarëdo lloj zgjedhjeve. Pa dallim nëse ne do të arrijmë apo nuk do të arrijmë, duhet të qëndrojmë rreth emrit të kryetarit teknik të asaj Qeverie apo kryeministri, të votojmë një person të tillë, e më pas të shohim se cilat janë propozimet për anëtarët adekuat të asaj qeverie. Kjo është ajo që duhet ta bëjë shumica, shumica propozon kryetar dhe kabinet teknik, ndërsa pakica propozon ministër teknik të Punëve të Brendshme, të Punës dhe Politikës Sociale dhe tre zëvendës”, tha Mickoski.

I pyetur nëse do ta kishte problem të jetë në qeveri me BDI-në, Mickoski tha se nuk e ka problem të jetë në qeveri në të cilën do të ketë shumicë të deputetëve, por siç tha, qëllimi i tij në këto zgjedhje ka qenë edhe përkundër dëshirës për t’u mposhtur LSDM-ja, të mbetet pa pushtet edhe BDI-ja.

“Nuk kam problem të jem në kurfarë qeverie në të cilën do të kemi shumicë të deputetëve, në këtë rast shumicën e deputetëve e kemi me Aleancën dhe Alternativën dhe Besën. Qëllimi im në këto zgjedhje është, krahas humbjes së LSDM-së, të shfuqizohet BDI-ja”, tha Mickoski. 

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img