-0.2 C
Skopje
Wednesday, December 8, 2021

MF: Republika e Maqedonisë së Veriut pjesë e marrëveshjes historike për reformën tatimore të korporatave, priten më shumë të hyra

Shkup, 12 tetor – Vendet në zhvillim do të kenë gjithashtu të drejta tatimore që do t’u mundësojnë atyre që të gjenerojnë më shumë të hyra tatimore nga kompanitë më të mëdha dhe më profitabile, përfshirë kompanitë me digjitalizim të lartë. Me këtë marrëveshje, Republika e Maqedonisë së Veriut është pjesë e (136) vendeve, që javën e kaluar arritën marrëveshjen historike për reformën e tatimeve të korporatave.

Siç kumton Ministria e Financave, kjo reformë, lidhur me sistemin tatimor ndërkombëtar, përbëhet nga dy shtylla dhe i referohet tatimit të aktiviteteve digjitale të korporatave multinacionale, si dhe zbatimit të normës minimale globale të tatimit të korporatave për kompanitë e mëdha multinacionale.

Me shtyllën e parë të marrëveshjes, pritet rialokim i profitit prej më shumë se 125 miliardë dollarëve amerikanë të 100 korporatave më të mëdha dhe më profitabile multinacionale të vendeve në mbarë botën, duke siguruar që këto korporata ta paguajnë pjesëmarrjen e tyre të drejtë të tatimit kudo që të punojnë dhe që gjenerojnë profit. Kjo do të thotë se do të kryhet rialokimi i të drejtave tatimore mbi këto korporata multinacionale nga vendet ku gjenden selitë e tyre amë, në vendet ku kryhen aktivitetet reale afariste dhe gjenerojnë profit, pa marrë parasysh se a kanë prani fizike në atë vend, gjegjësisht market juridiksione. Me këto rregulla të reja janë përfshirë korporatat multinacionale që konsiderohen si fitimtarë të globalizimit, gjegjësisht kanë të hyra më të larta se 20 miliardë euro dhe profit mbi 10%, me ç’rast e drejta për tatimin prej 25 për qind nga profiti rezidual do t’u takojë market juridiksioneve.

Me shtyllën e dytë vendoset norma minimale globale e tatimit të korporatave prej 15 për qind, me ç’rast vlerësohet se globalisht do të gjenerohen të hyra prej rreth 150 miliardë dollarë amerikanë neto në nivel vjetor. Norma e re minimale e tatimit do ta vlejë për kompanitë me të hyra mbi 750 milionë euro.

Përfitimet e mëtejshme nga kjo reformë do jenë si rezultat i stabilizimit të sistemit tatimor ndërkombëtar dhe rritjes së sigurisë tatimore për obliguesit tatimorë dhe administratat tatimore. Me tatimin minimal global do t’u jepet fund parajsave tatimore dhe do të zvogëlohen stimujt me qëllim që korporatat multinacionale t’a zhvendosin profitin nga vendet në zhvillim.

Vlerësimet e kryera nga OECD-ja për ndikimin ekonomik tregojnë se vendet me të hyra të ulëta, të mesme dhe të larta do të gjenerojnë të hyra shtesë.

Plani i detajuar për zbatimin e dy shtyllave përfshin afate ambicioze, përkatësisht parashihet që kjo zgjidhje të zbatohet dhe të fillojë nga viti 2023.

Marrëveshja është përgjigje ndaj ndryshimeve që rezultojnë nga digjitalizimi dhe globalizimi që kishin ndikim në ekonomitë dhe jetën e qytetarëve si dhe sfidat lidhur me rregullat për tatimin e të hyrave afariste ndërkombëtare që kanë mbizotëruar për më shumë se njëqind vite dhe kanë rezultuar që korporatat e mëdha multinacionale të mos paguajnë pjesëmarrjen e drejtë të tatimit pavarësisht profitit të madh që kanë realizuar shumica e këtyre korporatave.

Pas negociatave intensive për harmonizimin e sistemit tatimor ndërkombëtar lidhur me sfidat e shekullit 21, Republika e Maqedonisë së Veriut, së bashku me 136 juridiksione të tjera, përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, u bashkuan në marrëveshjen historike, përkatësisht në konsensusin për Kornizën inkluzive “Pillar 1” dhe “Pillar 2” të BEPS-it lidhur me zgjidhjen e sfidave tatimore që dalin nga digjitalizimi i ekonomisë.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img