Shkup, 28 gusht – Edhe pse kompania shtetërore MEPSO kishte planifikuar që këtë vit të shpenzojë 12.300.000 denarë për sponsorizime dhe donacione, deri në qershor të këtij viti janë shpenzuar 22.712.500 denarë, pak më shumë se 10 milionë denarë se sa ishte planifikuar, shkruan portali MKD.
Sipas dokumenteve, në listën prej 33 donacionesh dhe sponsorizime të ndara, më të shumtat janë klubet sportive, ndërsa pjesa më e madhe e parave janë ndarë për burgun Idrizovë në Shkup (5.945.000 denarë), për Shtëpinë e Shëndetit Shkup. (2.900.000 denarë) dhe të ISHP Nënë Tereza (2.767.500 denarë).
Megjithatë, mbetet e paqartë se me cilat kritere MEPSO ka ndarë 400 mijë denarë, për shembull Asociacionin për liri të fjalës dhe raportim profesional Brianion nga Demir Hisari. Kjo shoqatë figuron si botuese e portaleve sportm.mk, 4news.mk, sofra.mk dhe onix.mk.
Në listë është edhe Shoqata e qytetarëve për promovimin e 22 Nentorit-Ditës së Alfabetit Shqip, e cila në shkurt të këtij viti ka marrë 120.000 denarë.
Për disa nga përfituesit e donacioneve, si SESON dhe OF të Maqedonisë, në internet nuk gjenden të dhëna.
Klubi Reno Karting ka pranuar 150.000 denarë si donacion nga MEPSO. Në muajin prill, shkolla e vallëzimit Prima danza ka marrë 300.000 denarë sponsorizim.
MEPSO ka dhënë para edhe për kineastët – kompania për prodhim filmik dhe audiovizual PIK Production nga Prilepi ka pranuar donacion prej 300.000 denarë. Dhe ajo që është më interesante, dhe se si menaxhmenti i MEPSO-s mund ta shpjegojë donacionin për fitnes klubin Dynamix nga Kërçova prej 200 mijë denarë.(INA)