21.8 C
Skopje
Monday, May 23, 2022

Mblidhen liderët e G20-s, ndryshimet klimatike e COVID-19 do të jenë top agjenda

Ndryshimet klimatike dhe pandemia me COVID-19 do të jenë top agjenda në takimin e liderëve të ekonomive më të fuqishme botërore, Samitin G20 i cili ka nisur të mbahet në Itali.

Ky është takimi i parë sy më sy i liderëve të G20-s që kur ka nisur pandemia me koronavirus.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe ai i Rusisë, Valdimir Putin nuk do të jenë të pranishëm në Romë për samitin, pasi ata kanë zgjedhur që të inkuadrohen përmes videolidhjeve.

Takimi vjen mes paralajmërimeve gjithnjë e më të tmerrshme për të ardhmen nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të ulur emetimet.

Grupi i përbërë nga 19 vende dhe Bashkimi Evropian vlerësohet të jetë përgjegjës për 80% të emetimeve në botë.

Duke folur përpara samitit dy-ditor, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson sugjeroi që dështimi për të vepruar do të rezultonte në kthimin e “qytetërimit tonë” prapa, duke i çuar “gjeneratat e ardhshme në një jetë që është shumë më pak e këndshme se e jona”.

Megjithatë, ai pranoi se as takimi i G20-ës, as samiti i ardhshëm COP26 në Glasgow, i cili fillon të hënën, nuk do të ndalojnë ngrohjen globale, duke thënë se “më së shumti që mund të shpresojmë të bëjmë është të ngadalësojmë rritjen”.

Johnsoni pritet gjithashtu të prekë pabarazinë e vaksinave kundër koronavirusit gjatë samitit, duke u thënë liderëve të tij se “ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga sa shpejt mund ta kapërcejmë COVID-in, me përparësinë e parë “shpërndarjen e shpejtë, të barabartë dhe globale të vaksinave”

Më shumë se gjashtë miliardë doza të vaksinës antiCOVID janë administruar në mbarë botën. Megjithatë, një letër drejtuar kryeministrit italian Mario Draghi, i cili është nikoqir i G20-ës, nga më shumë se 160 ish-liderë botërorë dhe figura globale, thuhet se vetëm 2% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë njërën dozë të vaksinës.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së Joe Biden, mësohet se gjatë samitit do të bëjë presion që vendet të rrisin prodhimin e energjisë, mes çmimeve të larta, si do të kërkojë diskutimin e një plani për të parandaluar pandemitë e ardhshme.

Grupi pritet gjithashtu të mbështesë një normë minimale globale tatimore të korporatës prej të paktën 15%, e cila mbështetet nga 140 vende në mbarë botën.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img