Një delegacion ligjvënësish të Shteteve të Bashkuara mbërriti në Tajvan, zhvillim ky që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Kinës e cila e përshkroi udhëtimin e tyre si një “akt provokimi”.
Grupi u ul në Taipei me një avion ushtarak Boeing C-40A. Ministria e jashtme tajvaneze e konfirmoi vizitën dhe tha se udhëtimi u organizua nga Instituti Amerikan në Tajvan, që konsiderohet praktikisht si ambasada de facto e SHBA në Taipei. Ajo nuk i bëri të ditur emrat e ligjvënësve të përfshirë në vizitë, dhe as itinerarin e tyre, thotë CNN.
Marrëdhëniet mes Taipeit dhe Pekinit janë në pikën e tyre më të ulët në dekada, të shënjuara nga retorika e zjarrta dhe një qëndrim i fortë ushtarak. Muajin që shkoi, ushtria e Kinës dërgoi një numër rekord avionësh bombardues në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, ndërsa Taipei deklaroi se do t’i përgjigjej çdo inkursioni.
Vizita e delegacionit amerikan erdhi në kohën kur Pekini ka nisur të zhvillojë “patrullime të gadishmërisë ushtarake” në afërsi të ngushticës së Tajvanit, të cilat synojnë përgatitjen maksimale për luftime të mundshme.