13.8 C
Skopje
Sunday, February 25, 2024

Kupchan: Kurti dhe Vuçiq po e vështirësojnë zgjidhjen duke luajtur me karta nacionaliste

Profesori në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën veprime të panevojshme provokuese.

Kupchan në një intervistë për Evropën e Lirë thotë se të dy udhëheqësit – Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – kanë mbetur te mosmarrëveshjet e së kaluarës, në vend se të fokusohen tek e ardhmja.

“Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Kupchan.

Profesori është pyetur edhe lidhur me seancën e së enjtes në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

“Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara.

Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese. Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve… tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja.

A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro… ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave.

Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste – me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit”, tha ai.

Kupchan po ashtu thekson se as Vuçiq nuk është bashkëpunues dhe luan me kartën e tij nacionaliste dhe bën gjëra provokuese.

“Gjithsesi, unë nuk dua të them se Vuçiq është një person bashkëpunues, i cili është i gatshëm të bëjë marrëveshje me Kosovën. Ai luan me kartën e tij nacionaliste, ai bën dhe thotë gjëra provokuese, po ashtu.

Pra, kjo është një rrugë dydrejtimëshe. Do të duhen kompromise të dhimbshme nga të dyja palët për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje të kahershme”, tha ai.

Marketing
Related news