6.8 C
Skopje
Friday, February 3, 2023

KQZ: 575 qendrat e votimit janë hapur me kohë, qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në konferencën e parë për media ka bërë të ditur se të gjitha qendra e votimit në vend janë hapur me kohë, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 575 me gjithsej 1 638 vendvotime.

Ai më tej ka bërë të ditur se në ueb faqen e KQZ-së, është i vendosur aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë.

“Ju njoftoj se tashmë janë  hapur të gjitha vendvotimet në 21 komunat ku po mbahet raundi i dytë. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 575 me gjithsej 1 638 vendvotime”.

“Sot në 21 komuna të Republikës së Kosovës, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë. Procesi i votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës mbahet në: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot”.

“Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është: 1 milion e 260 mijë e 571 votues.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”.

“Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ueb faqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është i vendosur aplikacioni përmes së cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendvotimin e tij të saktë”. 

KQZ-ja do të mbajë edhe disa konferenca gjatë ditës për të njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Gjatë ditës së sotme, me qëllim të informimit të rregullt  për pjesëmarrjen në votime dhe ecurinë e procesit zgjedhor, KQZ-ja do të mbajë konferenca në orën 11:30; 15:30 dhe 19:30, ndërsa për konferencën e pestë, lidhur me publikimin e rezultateve prelimanre, do t’iu njoftojmë me kohë”, tha Elezi.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i fletëvotimeve që janë shtypur për këtë raund është 1 milion e 136 mijë e 150 fletëvotime. Edhe për këto zgjedhje, janë shtypur më pak fletëvotime, 10 për qind apo rreth 125 mijë fletëvotime me pak se numri i përgjithshëm i votuesve të këtij raundi.

KQZ-ja në këto votime do të angazhojë 80 ekipe mobile vetëm për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të paaftësisë shëndetësore, fizike apo çfarëdo paaftësie tjetër.

Numri i qytetarëve të regjistruar si votues me nevoja të veçanta është rreth 2 450, prej të cilëve 1 544 janë votues të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të paaftësisë fizike apo shëndetësore, ndërsa 899 janë votues që janë në hospitalizim, në shtëpi të caktuar për të moshuar, të burgosurit dhe të paraburgosurit.

Po ashtu, KQZ-ja do të angazhojë edhe 30 ekipe të tjera mobile për të mundësuar votimin e qytetarëve të infektuar me Covid-19.

Latest news
Related news