17.8 C
Skopje
Wednesday, September 18, 2024

Kina e gatshme të punojë me administratën e re amerikane

Ambasadori kinez në ShBA, Cui Tiankai, u shpreh në një mesazh urimi në “Twitter” se Kina është e gatshme të punojë me administratën e re amerikane të drejtuar nga Joe Biden.

“Urimet presidentit Biden për marrjen e detyrës! Kina është e gatshme të punojë me administratën e re për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane dhe për të përballuar sfidat globale në shëndetin publik, ndryshimin klimatik dhe rritjen”, shkroi Cui.

Në një konferencë shtypi të mërkurën në Pekin, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ritheksoi se marrëdhëniet e mira Kinë-ShBA u shërbejnë interesave thelbësore të të dy vendeve dhe janë dëshira e përbashkët e komunitetit ndërkombëtar.

“Përveç ndryshimeve, Kina dhe ShBA-ja kanë edhe shumë interesa të përbashkëta e hapësira për bashkëpunim dhe mbajnë përgjegjësi të veçantë për paqen e zhvillimin botëror”, u shpreh zëdhënësja e diplomacisë kineze Hua Chunying.

Ajo i bëri thirrje administratës së re amerikane të punojë me Kinën për forcimin e dialogut, menaxhimin e diferencave dhe zgjerimin e bashkëpunimit, për t’i kthyer lidhjet dypalëshe në rrugën e drejtë të zhvillimit.

Joe Biden u betua si president të mërkurën, duke theksuar bashkimin, demokracinë dhe sfidat në fjalimin e tij të rastit.

Presidenti i ri ka firmosur 15 urdhra ekzekutivë në të njëjtën ditë lidhur me pandeminë, ndryshimin klimatik dhe pabarazinë raciale, duke shfuqizuar disa prej politikave të ndjekura nga Donald Trump-i.

Marketing
Related news