30.8 C
Skopje
Wednesday, May 25, 2022

Intervistë me Petkov: Le të përvjelim mëngët dhe të punojmë së bashku

Sofje, 17 janar – Me një dialog konstruktiv të shkojmë përpara pasi për mua fqinjësia e mirë është me rëndësi të madhe për Bullgarinë, për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit, thotë kryeministri bullgar Kirill Petkov në intervistën për MIA-n në vigjilje të vizitës së nesërme të tij në Shkup.

“Vërtetë e mendoj se nëse më shumë punojmë së bashku, sa më e madhe të jetë lidhshmëria, sa më shumë komunikojnë qytetarët tanë midis tyre, vendosin bashkëpunim biznesi, aq më mirë do të jetë”, thekson Petkov, duke shtuar se në vend se me deklarata dhe fjalime politike duhet të përvilen mëngët dhe “të bëjmë shumë punë bashkë”.

Kryeministri bullgar thekson se mu për atë menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Dimitar Kovaçevskit vjen për vizitë në vend me qëllim që të vendosë komunikim të vazhdueshëm dhe të arrihet progres.

“Nuk dua vetëm politikanët të vijnë dhe të mbajnë fjalime, kur flas për ekonominë dëshiroj t’i shoh të gjitha kompanitë tona të cilat dëshirojnë dhe kanë interesim për Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha firmat nga vendi juaj, të cilat kanë interes për Bullgarinë. Në këtë takim politikanët nuk janë të nevojshëm, në këtë këtë takim janë të nevojshëm njerëz, të cilët dëshirojnë të punojnë, të bëjnë biznes së bashku”, thotë Petkov, duke potencuar se duhet të punohet në të gjitha ato çështje të cilat për 30 vite nuk kemi arritur t’i zgjidhim.

Ai thekson se nuk dëshiron vetëm të flitet se çfarë duhet të bëhet, por të dyja vendet bashkërisht të punojnë në realizimin e projekteve konkrete.

“Ato me deklaratat, njoftimet të jenë pas nesh. Që tani e tutje t’i numërojmë rezultatet, të cilat do t’i realizojmë së bashku”, shton Petkov në intervistë.

Sipas tij, pesha e disa problemeve varet nga konteksti në të cilat janë vendosur dhe nëse arrijmë t’i definojmë saktë se si janë këto probleme dhe prej ku vijnë, atëherë vendimet bëhen më të lehta.

Petkov potencoi se Ballkani si rajon ka potencial të madh të jetë i pasur, duke e pasur parasysh afërsinë e tregut evropian, tokën e frytshme, vendet e mira për turizëm, por megjithatë është në nivel të ulët në Evropë sipas zhvillimit ekonomik, para së gjithash për shkak të korrupsionit.

Kryeministri bullgar në intervistë flet edhe për pritshmëritë nga vizita në vend, për presionet mbi Sofjen që të zgjidhet kontesti, për perspektivat e Bullgarisë për anëtarësim në Eurozonë…

Në vazhdim pason intervista integrale me kryeministrin bullgar Kirill Petkov.

Zoti Petkov, ju faleminderit për intervistën e parë për MIA-n, kjo është edhe intervista e parë e kryeministrit për mediat maqedonase. Këto ditë u mbushën 30 vjet qëkur Bullgaria njohu e para pavarësinë e Republikës së Maqedonisë. Pas 30 vitesh tani kemi situatë krejtësisht tjetër, çfarë ndodhi ndërkohë?

– Fillimisht, dua të them se kam kënaqësi të madhe që Bullgaria ishte vendi i parë që e njohu Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pavarësinë e saj, si shtet i veçantë dhe po në ato 30 vjet unë personalisht do të isha i lumtur nëse do të kishim përparim më të mirë se kjo që e kemi, por tani gjërat varen nga të gjithë ne dhe shpresoj që në vend se të shikojmë se ku kanë qenë gabimet në 30 vitet e fundit, do të fillojmë me një dialog konstruktiv për të ecur përpara meqë për mua fqinjësia e mirë me Republikën e Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të madhe për Bullgarinë, për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Unë vërtetë besoj se sa më shumë të punojmë së bashku, sa më të madhe që ta kemi lidhjen, sa më shumë që komunikojnë qytetarët tanë me njëri-tjetrin, të vendosin bashkëpunim biznesi, aq më mirë do të jetë.

Ky komunikim mes qytetarëve, mendoj se nuk është fare i kontestueshëm dhe mendoj se nuk është ndërprerë, vazhdimisht shkojmë në Sofje, vijmë në Shkup, nuk ka kurrfarë problemi, mirëpo çfarë e prishi atë besim mes njerëzve, prej ku kaq shumë frikë, pse?

-Ajo që unë e shoh si një problem, që ka ndodhur është se ne nuk kemi bashkëpunuar sa duhet së bashku, por më shumë politikanë janë shprehur, kanë dhënë ndonjë deklaratë në të dyja anët e kufirit, disa histori, e në realitet nuk kemi përfunduar punën që duhet të kishim përfunduar. Nuk është normale për mua si kryeministër i Bullgarisë, nëse dua të përdor linja komerciale ajrore, të duhet të fluturoj përmes Vjenës për të mbërritur në Shkup ose përmes Stambollit. Kjo thjeshtë është shkojmë mbrapa, më pas përpara, është shumë më normale të kemi atë linjë ajrore. Nuk është normale të mos ketë lidhje hekurudhore, që do të ndihmojë në vënien në lëvizje të shkëmbimit tregtar mes Sofjes dhe Shkupit. Nuk është normale të mos kemi kalendar të përbashkët kulturor. Pra, në vend të deklaratave dhe fjalimeve politike, tani është koha të përveshim mëngët dhe të themi se duhet të bëjmë shumë punë së bashku, duhet të përfundojmë me idenë e qartë se vetëm kur do t’ia dalim realisht ta përfundojmë atë punë, ne do të garantojmë fqinjësi të mirë të vërtetë, që do të garantohet nga vetë popujt tanë, e jo aq shumë nga politikanët që janë në pushtet në këtë moment.

Politikanët siç shpreheni, e shohin vetëm fitimin e tyre personal, për mua shikuar nga anash, nga Maqedonia, më ishte e pakuptueshme të themi, presidenti bullgar Radev cakton Këshillin e Sigurimit, nuk e di nëse ka pasur Këshill të Sigurimit për pandeminë, për marrëdhëniet ruso-ukrainase, për distancën, meqë krijohet përshtypja se Maqedonia është më e forta, që mund të prishë sigurinë e Bullgarisë, e megjithatë jemi aleatë të NATO-s?

– Unë në parim, nuk dua të hy në komente, jam i sigurt se të gjithë ne politikanët, që jemi përgjegjës, duke përfshirë edhe presidentin Radev, në fund të fundit kemi të njëjtin qëllim – fqinjësinë e mirë. Shtrohet pyetja se si të arrihet kjo në mënyrën më të mirë të mundshme. Qasja ime është pak më ndryshe. Siç e shihni, jam duke pritur që Dimitar Kovaçevski të hyjë në rolin e tij të ri dhe nuk merrem me asgjë tjetër as një ditë para se të vij për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe fakti që unë e vizitoj atë tregon dy gjëra. E para është rendi, por e dyta që tani e tutje dialogu, komunikimi, lidhja nuk duhet të jetë kaq e fragmentuar. Duhet të komunikojmë vazhdimisht, të përparojmë. Shpresat e mia janë që në muajt e ardhshëm në mënyrë reale të përpiqem ta dakordoj edhe këtë gjatë vizitës sonë, kur do të vij është t’i formojmë këto pesë grupe pune – për ekonominë, kulturën, infrastrukturën, eurointegrimin dhe historinë. Nuk dua vetëm politikanët të vijnë e të flasin, kur flas për ekonominë dua t’i shohim të gjitha ndërmarrjet tona që duan dhe kanë interes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha ndërmarrjet nga vendi ynë, të cilat kanë interes për Bullgarinë. Në këtë takim, politikanët nuk janë të nevojshëm, në këtë takim nevojiten njerëz që duan të punojnë, të bëjnë biznes së bashku. Më pas të takohen ministrat tanë të infrastrukturës dhe të arrijmë të vendosim sistem që këto grupe të takohen një herë në muaj, të arrijmë të bëjmë orar çdo javë të takohet një grup, ne në këtë mënyrë realisht do të bëjmë një program takimesh çdo javë, me çka do të përparojmë në të gjitha këto çështje, të cilat për 30 vjet publikisht deri tani nuk kemi arritur t’i zgjidhim.

Kjo do të thotë se ato grupe, komisione, nuk do t’i ngjanin asaj që ndodhte me komisionin historik, kështu që do të ndalemi diku, e të qëndrojmë, përkundrazi do të jetë kjo dinamikë tjetër, meqë politikanët tanë edhe Kovaçevski edhe Mariçiqi shprehen se kjo tani do të jetë diçka shumë më ndryshe dhe shumë më dinamike?

– Shumë më dinamike, me rezultate reale. Dua sinqerisht të shoh që në disa takimet e para të arrijmë ta lëshojmë linjën ajrore mes Sofjes dhe Shkupit, në kuptimin se nuk dua të jap prononcim deklarativ se një ditë do të lëshohet linja ajrore, dua të ngjitem në aeroplan dhe të mund të fluturoj nga Sofja në Shkup. Nuk dua vetëm të flas, të deklaroj se një ditë do të ketë, dua të di se si është projekti, sa shpejt mund të ndodhë kjo linjë Sofje-Shkup. Të bëjmë kalendarë të saktë që kjo të ndodhë. Shpresë të madhe më dha biseda telefonike me Dimitar Kovaçevskin, ai më la përshtypjen se është shumë praktik. Patëm bisedë shumë të mirë dhe konstruktive dhe ai tingëllonte se duhet ta përfundojmë atë punë dhe ai njeri me aq sa di unë vjen nga biznesi, ka shumë përvojë në atë sferë. Ne duam rezultate. Ajo me deklaratat, njoftimet duhet lënë pas nesh. Që tani e tutje, le të numërojmë rezultatet, të cilat do t’i realizojmë së bashku.

Duke e marrë parasysh faktin se shumë herë ka pasur prononcime deklarative, mundemi, duam, duhet… pastaj, pak mosbesim, meqë e tillë është deri tani klima e fqinjësisë së mirë, e prodhoi largimin e afatit. Kjo mund të shihet edhe pozitivisht, ndoshta është më pak se gjashtë muaj, ndoshta edhe më shumë se gjashtë muaj. Çfarë do të thotë afati për sa mundemi?

– Në fakt, mundemi për kohën për të cilën do ta përfundojmë punën. Unë dua të them këtë. Pra, nëse tani them afat të caktuar, gjashtë muaj, fillojmë me të njëjtin prononcim deklarativ. Duhet të shohim se cilat do të jenë çështjet, si do t’i zgjidhim ato. Afati varet vetëm nga gatishmëria secila palë të shtrijë dorën dhe së bashku ta përfundojmë punën. Unë këtë shpresoj ta shoh dhe tani ka gjëra që janë shumë të qarta. Unë konsideroj se nuk ka njeri në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose në Bullgari, që konsideron se nuk është mirë të kesh linjë të tillë ajrore mes dy shteteve. Ato janë gjërat e lehta, por janë të rëndësishme. Jam i sigurt se kur biznesmenët do të takohen gjëja e vetme që do të shohin është se si tregjet e tyre të rriten ose prej ku të gjejnë furnizuesin më të mirë. Tani ka disa gjëra të cilave duhet t’u kushtohet pak më shumë vëmendje, të cilat janë më të ndjeshme, lidhur me atë që Këshilli primar dhe konsultativ për siguri e shprehu për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Këto janë tema që janë me peshë pak më të madhe. Ne duhet t’i adresojmë. Unë konsideroj se një metodë miqësore, konstruktive duhet të mund t’i zgjidhë edhe temat e lehta edhe ato më të vështira. Por, prandaj është më e rëndësishme të kemi besim dhe këtë besim shpresoj se do ta ndërtojmë edhe atë me ato gjëra që i bëjmë së bashku.

A jeni të vetëdijshëm se ka çështje të vështira dhe të lehta, jemi absolutisht dakord, por sa janë këto çështje të vështira me të vërtetë, sa janë këto çështje një lloj koncensioni apo kthim të procesit mbrapa, meqë i kanë edhe të dyja. Po, shumë gjëra zgjidhen me kompromis, por a janë ato vetëm njëfarë forme për të qëndruar në vend apo janë me të vërtetë çështje të vështira?

– Mendoj se me dialog konstruktiv të gjitha këto çështje janë të zgjidhshme. Mendoj se nuk kemi çështje të pazgjidhura. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është që se ky besim që duhet të ndërtohet mes qeverive tona dhe e dyta është të shtyjmë kontekstin më të madh. Konteksti më i madh është se sa mund të marrim në fund, edhe Republika e Maqedonisë së Veriut edhe Bullgaria nga kjo punë e përbashkët. Pra, kur e përshtatim atë në kontekstin, meqë nëse flasim vetëm për problemet e vështira dhe harrojmë gjithçka tjetër, disi të gjithë mprehen dhe të gjithë theksojnë: obobo, çfarë problemi i madh. Por, kur flasim se sa mund të marrim së bashku nga një fqinjësi e mirë, atëherë të gjitha ato probleme që duken në shikim të parë të vështira, shumë të vështira, në fakt vendi i tyre në marrëdhëniet e përbashkëta bëhet më i vogël.

Sigurisht. Para ca kohësh kam folur me disa liderë të Maqedonisë së Veriut në të njëjtin kontekst dhe deklarata e tyre ishte se ka shumë forca destruktive që ndikojnë në proceset. U përpoqëm të përcaktojmë nëse ata janë nga brenda, nëse janë nga jashtë, në cilën anë ishin… Thjeshtë i bllokojmë proceset dhe nëse i shtojmë kapacitetet e koalicionit edhe të Qeverisë bullgare, edhe të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përfitimi politik që të gjithë po përpiqen ta marrin nga kjo paketë… A do të ketë forcë për të shkuar në drejtimin e duhur që ju thoni se është: hajde t’i shohim gjërat e bukura?

– Shpresoj që në fakt të kemi aq shumë për të marrë së bashku nga ajo fqinjësi e mirë, saqë madje edhe grupe të veçanta njerëzish në të dy vendet, të cilët mendojnë se fqinjësia e mirë nuk është e mirë për ta, politikisht apo për ndonjë arsye tjetër, nëse i përfshijmë në të gjithë kontekstin, shpresoj se do të mbeten një zë i vogël në idenë e përbashkët se duhet të punojmë së bashku. Ka gjëra që janë të pastra… Mendoj se edhe çështjet e vështira nëse i shikojmë në mënyrën më të arsyeshme, për shembull, unë jam i sigurt se askush në Bullgari, askush në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk mendon se, për shembull, diskriminimi apo gjuha e urrejtjes është diçka e bukur. Askush nuk mund ta mendojë këtë. Kështu që, nëse arrijmë të përkufizojmë saktësisht se cilat janë këto probleme dhe nga vijnë, atëherë edhe zgjidhjet e tyre bëhen më të lehta. Pjesa tjetër është, për të cilën mendoj se që të dyja vendet e kemi si problem dhe mendoj se do të mund të ndihmoj me përvojën tonë të eurointegrimit edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut. E dini, qeveria ime erdhi me idenë e “korrupsionit zero”. Kështu që ne duhet ta pastrojmë atë, unë besoj se edhe në Bullgari, edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut … Edhe për të gjithë Ballkanin… Të tregohet se nuk është problem lokal. Ne duhet t’i pastrojmë të gjithë ata që fitojnë në kurrizin e popujve tanë. Sepse ekziston një grup i vogël njerëzish, të cilët përmes korrupsionit fitojnë në kurriz të të gjithë të tjerëve. Dhe unë mendoj se ata janë pjesë e elementëve destruktuivë që janë të lidhura dhe që shtrojnë pyetjen nëse është e mirë apo jo fqinjësia e mirë mes dy vendeve. Shumë nga këto grupe janë gjithashtu të lidhura edhe me korrupsionin e brendshëm në vendet. Dhe mendoj se nëse ne së bashku mund t’i themi: JO korrupsionit, JO diskriminimit, JO mosrespektimit të të drejtave të njeriut, PO fqinjësisë së mirë, PO lidhjeve të përbashkëta, PO ekonomisë së përbashkët, dhe i përfshijmë brenda këtyre kornizave, dialogu do të jetë shumë më i shpejtë dhe njerëzit që na kanë zgjedhur në këto pozita, do të na kuptojnë shumë më mirë. Kështu që, nëse ia dalim ta bëjmë këtë së bashku, mendoj se për të dyja vendet do të jetë shumë më e dobishme.

Diçka që është sinqerisht fyerje t’ju them, disa vite më parë isha në Universitetin e Harvardit dhe njëri nga profesorët e ekonomisë fliste për Amerikën Qendrore dhe shprehej, në Amerikën Qendrore atje një nga vendet ka elementë të ballkanizimit. Unë them, çfarë është ballkanizimi? Ai shprehet, ky është termi ekonomik për joharmonizim, kur dy grupe, vende të afërta nuk janë të koordinuara mirë. Më erdhi turp. Them në vete, nuk është e mundur që rajoni ynë, Ballkani ynë, vendet tona, të japin shembull të joharmonizimit dhe se ajo fjala që e përdorin në Harvard të jetë me emrin e Ballkanit. Pra, është koha për të ndryshuar atë që do të thotë ballkanizim. Do të shpresoja se pas një kohe të caktuar kur do të thuhet ballkanizim, do të flitet për ndryshim në mënyrën se si disa vende mund të fillojnë të punojnë së bashku. Dhe nëse e mendojmë si tërësi, Ballkani është 65 milionë njerëz, kjo është një Francë. Imagjinoni sikur të kemi tregje të hapura, nëse punojmë së bashku, nëse respektojmë njëri-tjetrin, ka diskriminim zero, kemi pastruar korrupsionin… si do të dukej Ballkani. Ka kaq shumë gjëra dhe aq shumë mund të marrim nga një vizion i tillë, saqë thjeshtë është koha t’i përvjelim mëngët dhe të fillojmë të veprojmë.

Në të njëjtin kontekst janë këto nëntë miliardë euro që do duhej të vijnë nga BE në funksion të integrimit të Ballkanit, jo për dezintegrim. Çfarë do të thoshte kjo, të themi, ky investim, përgjithësisht për Ballkanin?

– Mendoj se, kjo është tjetra, që është fakt. Ne i kemi të gjitha predispozitat për të qenë rajon i pasur, rajon me të vërtetë i pasur. Jemi afërt tregut më të madh të botës, tregut evropian. Kemi mjaft njerëz të mençur. Unë besoj se Ballkani ka shumë njerëz të mençur. Nuk është rastësi që jemi të mirë në matematikë, fizikë… Kemi një vend pjellor në Ballkan, kemi vende të mira për turizëm, por pse, jemi në një nga nivelet më të ulëta në Evropë sipas zhvillimit ekonomik? Pikërisht për shkak të dy gjërave. Njëri problem është se korrupsioni në Ballkan është diçka që lejohet disi dhe konsiderohet thjeshtë pjesë e rajonit dhe i dyti është se ne nuk koordinohemi sa duhet në Ballkan.

Vallë ndoshta për shkak të kësaj, nëse mund ta përkufizojmë në përgjithësi votuesin ballkanik, ata zakonisht gjithmonë votojnë kundër, jo për, sepse janë kundër elitës, nuk ka rëndësi se kush tjetër vjen, vetëm se ata të mos jenë?

– Edhe kjo është e vërtetë. E në fakt është shumë interesante, kam parë një hulumtim, në Bashkimin Evropian pyesin njerëzit: Sa je vetëkritik dhe sa i kritikon të gjithë të tjerët? Finlanda ishte në vendin e parë, ku janë më vetëkritikë dhe më pak kritikojnë të gjithë të tjerët. Këtu tek ne, në rajonin tonë, ne i kritikojmë shumë më tepër të gjithë të tjerët, e jemi më së paku vetëkritikë. Në fakt, për të bërë ndryshimin, secili prej nesh duhet të fillojë të jetë vetëkritik, e më pas të kritikojë të tjerët. Shpresoj që të përdorim qasjen e tillë edhe në bisedat tona dhe të sigurohemi që secili prej nesh së pari ka bërë detyrat e shtëpisë, para se ta tregojë gishtin drejt tjetrit dhe të thotë pse ti nuk e ke bërë atë. Kështu që, shpresoj se do të kemi dialog konstruktiv dhe besoj se në Ballkan ka potencial shumë më të madh, ndërsa edhe më shumë mes dy vendeve tona.

Kemi për shembull, ja gazifikimin, paketat energjetike … Pse nuk do të kishte ardhur gjithë ajo pako përmes Strumicës nga Petriçi?

– Po, pikërisht ashtu. Dua të them, fakti që tani po bisedojmë dhe po kuptohemi, pa pasur nevojë për përkthyes mes nesh. Fakti që shijet dhe interesat e njerëzve na janë shumë të përbashkëta. Ju e dini, një nga deputetët tanë është Hristo Petrov, i cili është një reper. Ai shprehet “unë me kolegun tim nga Republika e Maqedonisë së Veriut mund të bëjmë koncert të përbashkët, ne e respektojmë shumë njëri-tjetrin”. Në të gjitha fushat, ne kemi parakushte për fqinjësi të mirë të madhe. Tani u ka mbetur politikanëve për të bërë punën e tyre.

Si?

– Edhe atë do të bëjmë. Duke filluar me grupet e punës, përmes dialogut për gjërat kryesore me një fokus të drejtpërdrejtë në rezultatet reale.

A ka presion ndaj Bullgarisë për arsye se ka disa pohime që thonë se “Bullgaria nuk është aq kundër dhe ndoshta e shfrytëzon momentin, mirëpo edhe disa vende evropiane fshihen pas zgjerimit të Ballkanit”. Nga ana tjetër, shprehen “jo, është vetëm Bullgaria ajo që i ndalon këto procese, askush tjetër”. Shqipëria, për shembull gjithë atë paketë, Rama porositi se “për gjashtë muaj nëse nuk zgjidhet, ne shkojmë vetëm”. Sot kemi porosi nga SHBA-ja se “nuk do të mund të shkojë ndaras dhe se do të duhet të shkojnë së bashku”, si dhe të gjitha këto përpjekje që po bëhen, presidenca franceze me BE-në, Makroni … i gjithë ky ambient, a do të ndihmojë apo do të pengojë? A është presion apo realisht është përgjigjja e gjithë asaj që po ndodhë?

– Ajo në çka besoj unë është se në fund, ne nuk jemi të varur nga forca dhe shtete të tjera që kanë interesa, por kjo varet nga ne. Pra, e vërteta është se ne jemi fqinjë dhe marrëdhëniet tona varen nga vetë ne. Unë personalisht e di, e jam i sigurt edhe te ju Dimitar Kovaçevski, nuk varemi nga ajo se kush çfarë dhe secili nga ne ka përgjegjësinë personale për ta përfunduar atë punë. Me fjalë të tjera, për mua personalisht, nuk do të thotë diçka se kush do të telefonojë ose do të thotë bëje këtë – bëje atë. Është e rëndësishme për mua të jem i sigurt se po bëjmë gjërat e drejta, në mënyrën e drejtë dhe … po, bota është globale dhe ka interesa të ndryshme, por mendoj se kjo është diçka tjetër në Ballkan. Ne duhet t’i themi vetes se gjërat tona varen nga ne. Nuk duhet të fajësojmë ose të presim, ose dikush të na shpëtojë, ose dikush të na ndihmojë. Mjaft më me këtë. Duhet vetë ta bëjmë punën tonë. Unë e them këtë edhe për Bullgarinë, kur flasim për korrupsionin. Presim se çfarë do të thotë Evropa, por çfarë rëndësie ka se çfarë do të na thotë Evropa, ne duhet të përballemi me korrupsionin për popullin bullgar, e jo sepse do të shkruhet ndonjë raport në Evropë. Kemi pasur një bisedë shumë interesante tani. Ka disa mjete të mëdha nga programi për rimëkëmbjen dhe biseduam me Komisionin Evropian, dhe ata na thonë se “shpejtësia me të cilën do t’ua lëshojmë paratë do të jetë në funksion të asaj se sa shpejt do të përparoni në luftën kundër korrupsionit në Bullgari”. Unë buzëqesha dhe thashë “shikoni, e gjithë paketa e BE-së sipas atij plani është dhjetë për qind e ekonomisë sonë, unë duhet të përballem me korrupsionin jo për ato dhjetë për qind, unë duhet të përballem për ato 100 për qind”. Dhe për politikën tuaj është kështu, besoj se ka interesa të ndryshëm, por megjithatë, kjo është përgjegjësia jonë dhe ne duhet të bëjmë punën.

Me çfarë porosie do të shkoni, a do të dërgoni ndonjë dokument te Kovaçevski? Në Maqedoni, spekullohet shumë se ka një aneks marrëveshje, ndonjë marrëveshje në raport me marrëveshjen ekzistuese…?

– Jo, jo. Unë po shkoj vetëm me ton konstruktiv dhe gatishmëri që të fillojmë të punojmë së bashku. Nuk kam dokument të përgatitur apo diçka të gatshme, sepse të gjitha ato dokumente nuk kanë kuptim, nëse nuk u japim motivimin e duhur se duhet ta bëjmë punën. Unë propozoj që t’i lëmë dokumentet si hap të dytë, e së pari të fillojmë, në mënyrë që të ketë diçka për të cilën do të shkruajmë në dokumentin e radhës. Përndryshe, ekziston rreziku se ne do të shkruajmë dokument dhe më pas çfarë nga kjo. Këtu, detyra është të bëjmë program, t’i bëjmë grupet e punës, të fillojmë dialogun, të kemi ndjenjë të besimit të ndërsjellë dhe se nga të dy palët ka qëllime të mira dhe t’i vendosim para vetes qëllimet që duam t’i arrijmë në një periudhë maksimale të shkurtër.

A është eurozona afër Bullgarisë?

– Shpresoj se në vitin 2024 do të hyjmë, ky është qëllimi që e ka vendosur Qeveria. Ajo që duhet të bëjmë është të komunikojmë me popullin bullgar, të mos kemi frikë nga ky ndryshim dhe të kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Meqë, siç e shohim, ja tani edhe me vaksinat, ashtu edhe për eurozonën, ka grupe njerëzish që përdorin frikën e njerëzve të rëndomtë për të bërë pikë politike. Ka njerëz që thonë “jo, është keq të hysh në eurozonë” dhe ka njerëz që thonë “nuk duhet të vaksinoheni”, ndërsa është mirë që Bullgaria të jetë pjesë e eurozonës dhe të rritë përqindjen e njerëzve të vaksinuar. Prandaj, nuk mund të thuhet thjesht se kjo është mirë, por duhet komunikuar, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë dhe kjo është forca e dytë e madhe në dialogjet tona. Ne duhet, mbi të gjitha, t’i bindim të dy popujt tanë se sa është e rëndësishme të kemi fqinjësi të mirë, në mënyrë që të mos lejojmë disa grupe të caktuara njerëzish të bëjnë programin për të gjithë ne. Nëse fokusohemi në kuadër të fqinjësisë së mirë, të drejtave të njeriut, mosdiskriminimit, zhvillimit ekonomik, kompromisit dhe dialogut kur flasim për historinë, atëherë do të ecim përpara shpejt.

Unë jo rastësisht e kam filluar intervistën me 30 vite, e pas 30 viteve tani çfarë po ndodh. Është evidente se për ato 30 vite nuk është punuar shumë, respektivisht asgjë nuk është punuar dhe pikërisht në atë kontekst e kisha pyetjen. Nëse tani ngecim përsëri, kemi komision, kështu që këtë komision do ta vlerësojë dikush tjetër, më pas do të vlerësojë një i tretë, pastaj nëse është progres ose nëse është regres… atëherë mendoj se do të na duhen edhe 30 vite të tjera. Zhbllokimi i gjithë këtij procesi, fillimi i bisedimeve dhe zgjidhja e sinqertë dhe e hapur, mendoj se ky është drejtimi nëpër të cilin duhet të lëvizim?

– Bota po lëvizë shumë shpejt për të humbur periudha prej 30 vitesh. As Republika e Maqedonisë së Veriut dhe as Republika e Bullgarisë nuk mund t’i lejojnë vetes humbjen e një periudhe kaq të madhe. Fatkeqësisht, e vërteta është se kemi humbur dhe kemi pasur lëshime të mëdha në 30 vitet e fundit. Jo vetëm në planin e politikës së jashtme, por edhe në planin e politikës së brendshme. Shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë. Prandaj, pas ndonjë viti kur të shikojmë mbrapa, kur ne kemi qenë të përgjegjshëm, t’i themi vetes se kemi bëmë ndryshim.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img