10.8 C
Skopje
Sunday, February 25, 2024

Gojën plotë reforma e vetting në prag të zgjedhjeve!

Shkup, 9 shkurt – Integriteti i zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut përmendet vetëm para zgjedhjeve, vlerëson Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në këtë vend, prandaj, sipas tij, mosveprimi i institucioneve bën që zyrtarët e korruptuar të mos përballen me drejtësinë. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian (BE) ia ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut të bëjë reforma të thella në sistemin gjyqësor të vendit, duke vlerësuar se ai ka arritur në “një pikë kritike”, pas skandaleve të shumta lidhur me lirimin e shumë zyrtarëve të korruptuar nga ndjekja penale nga periudha e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, vjetërsimin e lëndëve edhe lirimin nga burgu të disa prej tyre. Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional. E ky nuk është opinion por është fakt i bazuar në rezultatet e hulumtimeve të realizuara përgjatë po të njëjtit vit, ku besimi në gjyqësor ka pësuar rënie drastike nga 8% që ishte në 2%. Drejtësia ka rënë në greminë, e për këtë nuk po ndërmerret asgjë konkrete që ky besim të stabilizohet e të ngrihet, por vetëm rënie që është drastike dhe shumë shqetësuese. Nga ana tjetër kusht për integrimin evropian është gjyqësori i reformuar, pa e kaluar këtë test Maqedonia e Veriut vështirë të rrugëtojë drejtë BE-së, shkruan Zhurnal.

Veting dhe reforma në kohë zgjedhjesh – 

Integriteti i zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut përmendet vetëm para zgjedhjeve, vlerëson Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit në këtë vend, prandaj, sipas tij, mosveprimi i institucioneve bën që zyrtarët e korruptuar të mos përballen me drejtësinë.

Reagimi i këtij Komisioni ka ardhur pas aktualizimit të debatit për një ligj për vettingun për zyrtarët aktualë, dhe ish-zyrtarët shtetërorë. Procesi i vetttingut nënkupton rivlerësim të zyrtarëve të lartë shtetërorë, rritjen e tyre profesionale, luftim të korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikës apo elementëve tjerë në drejtësi. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, i ka bërë thirrje partisë opozitare, VMRO DPMNE që të mbështesë propozimin për vettingun, pas akuzave të kësaj partisë se funksionarët e BDI-së janë të zhytur në korrupsion.

Propozimi për vettingun është iniciuar nga BDI-ja, më 31 janar të vitit 2020, por dokumenti vazhdon të mbetet në sirtarët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Projektligji për vettingun është miratuar vetëm në lexim të parë, pasi 16 ditë më vonë është shpërbërë Kuvendi, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të prillit.

Projektligji parasheh që një agjenci e veçantë të verifikojë integritetin e të gjithë personave që janë nëpër pozita publike. Zyrtarë të partisë shqiptare, BDI, vlerësojnë se përmes vetttingut, synohet që të gjithë personave të përfshirë në vepra korruptive, t’iu pamudësohen pozitat publike nëpër institucionet e Maqedonisë së Veriut.

Arbër Ademi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së, për REL ka thënë se projektligjin për vettingun e ka në sirtarë dhe atë mund ta vendosë në rend dite, nëse ka vullnet të partive politike për ta çuar procesin përpara.“Dy minuta më duhen që ta bëjë pjesë të procedurës”, ka thënë Ademi.

Edhe LSDM-ja është shprehur pro vettingut për funksionarët. Ish-kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pati theksuar vitin e kaluar se janë duke u shqyrtuar mundësitë që të finalizohet procesi i vettingut me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“Tashmë kam diskutuar me kryetarin e Komisionit Evropian se Qeveria dëshiron të bëjë vettingun në nivel ekspertësh për të gjithë zyrtarët, tashmë të zgjedhur dhe të emëruar, si dhe për të gjithë ata që do të zgjidhen apo emërohen në poste”, pati deklaruar Kovaçevski në shkurt të vitit të kaluar.

Por, nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, vlerësojnë se lufta kundër korrupsonit, që e deklarojnë partitë politike, dematohet prej kritikave të ashpra të faktorit ndërkombëtar.

“Askush nuk doli me një ide të qartë se si duhet të zhvillohet vettingu. Nëse funksionon sistemi, atëherë nuk ka nevojë për ligj të veçantë për vettingun e funksionarëve, pasi verifikimi i zyrtarëve të lartë të shtetit, mund të bëhet në çdo moment, nëse ka vullnet politik për këtë”, ka theksuar Bilana Ivanovska, për REL kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, mandati i së cilës përfundon javën e ardhshme.

Çfarë thuhet në raportin e Transparancy International për korrupsionin?

Në raportin e kësaj jave të organizatës ndërkombëtare, Transparency International, sa i përket Indeksit për Përceptim të Korrupsionit, për vitin 2023, Maqedonia e Veriut është renditur në listën e vendeve ku drejtësia e dobët mundëson lulëzim të korrupsionit.

Ky vend ka shënuar përparim të lehtë, me 42 pikë – dy më shumë se vitin e kaluar – por që, sipas raportit, progresi ka shënuar kthim mbrapa, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

“Vendimi për t’i zvogëluar dënimet për abuzim të detyrave zyrtare për përfitime personale dhe afatet e shkurtuara për fillimin e procedurave ligjore për rastet e dyshuara për korrupsion, janë në të mirë të personave të korruptuar, pasi rreth 200 raste do të vjetërohen, përfshirë ato kundër ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Emërimet e motivuara mbi baza politike, dhe shkarkimet e zyrtarëve të gjykatave, rrisin shqetësimet për aftësinë e gjyqësorit që të luftojë korrupsionin në mënyrë efektive”, është thënë në raport.

Kujtojmë që, edhe Raporti i KE-së vë në pah mungesën e përparimit në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Janë kritikuar edhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat mundësuan ndërprerjen e shumë proceseve gjyqësore dhe uljen e dënimeve me burg për ish-kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjatë qeverisjes së tij nga 2006-2016. Lidhur me zhvillimet në Këshillin Gjyqësor dhe veprimet e tij, ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, në nëntor deklaroi se Këshilli nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet ligjore dhe se veprimet e tij nuk janë në përputhje me pritjet e banorëve të Maqedonisë së Veriut. OSBE-ja ka bërë një anketë me gjyqtarët, në të cilën më shumë se gjysma kanë deklaruar se nuk e konsiderojnë Këshillin Gjyqësor si organ praktikisht të pavarur në punën e tij.

Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues./Zhurnal.mk

Marketing
Related news