8.8 C
Skopje
Saturday, November 27, 2021

Gjenerali amerikan: Talibanët janë të pamëshirshëm

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, i përshkroi talibanët si “grup i pamëshirshëm” dhe tha se është e paqartë nëse ata do të ndryshojnë.

Megjithatë, shtoi Miller, është “e mundur” që Shtetet e Bashkuara të koordinohen me ta në të ardhmen për operacione kundër terrorizmit.

Ai përmendi në mënyrë specifike luftimin e grupit militant Shteti Islamik Khorasan, i cili mori përgjegjësinë për sulmet e javës së kaluar jashtë aeroportit të Kabulit.

Mbi 170 njerëz u vranë në këto sulme, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.

Forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani të martën, pas 20 vjetësh prani në këtë vend.

SHBA-ja dhe aleatët pushtuan Afganistanin në vitin 2001, për të rrëzuar talibanët nga pushteti.

Talibanët tani kontrollojnë gjithë Afganistanin dhe pritet të shpallin Qeverinë e re.

Grupi ka qenë në krye të Afganistanit edhe gjatë viteve 1990, kur ka sunduar me një interpretim të ashpër të ligjit islamik.

Gjenerali Milley foli në një konferencë për media bashkë me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Austin tha se nuk dëshiron të bëjë ndonjë parashikim për bashkëpunimin e ardhshëm me talibanët, por shtoi se fokus i SHBA-së do të mbetet grupi Shteti Islamik Khorasan dhe se ai “do të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, u kritikua gjerësisht për mënyrën e shpejtë të tërheqjes nga Afganistani, e cila çoi në kolapsin e papritur të forcave afgane të sigurisë.

“Në luftë ju bëni atë që duhet për të zvogëluar rrezikun për misionin dhe forcën, e jo atë që domosdoshmërisht dëshironi ta bëni”, tha gjenerali Milley.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img