22.8 C
Skopje
Wednesday, May 25, 2022

FMN: Rritja e inflacionit në Kosovë do të vazhdojë deri në mesin e vitit 2022

Shefi i misionit të Fondit Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella ka kërkuar që në buxhetin e vitit 2022 të ketë ndarje për ekonomitë familjare, shkollat dhe për zgjerimin e infrastrukturës shëndetësore. Ai ka përsëritur kërkesën e pastrimit të listave të veteranëve të rrejshëm.Derisa ka folur për rritjen e remitancave prej 40 përqind gjatë këtij viti, ai ka theksuar se këto duhet të shfrytëzohen për mbulimin e zbrazëtirave të infrastrukturës socio-ekonomike.Në prezantimin e vlerësimit të ekipit të FMN-së pas misionit konsultues që është zhvilluar në mënyrë virtuale nga 20 tetori deri më 4 nëntor, shefi i misionit në Kosovë, Gabriel Di Bella tha se në Kosovë inflacioni është rritur dhe se kjo do të përfundojë me 5% rritje.

“Lëvizja e çmimeve në naftë ka ndikuar shumë, por edhe ndikimi i rritjes së çmimeve së ushqimeve ka pasur ndikim të madh. Dhe në gjysmën e parë të vitit 2021 kemi parë një përshpejtim të rritjes së çmimeve të energjisë në Evropë. Por, në Kosovë ka qenë paksa i izoluar nga kjo rritje. Megjithatë, disa kompani kanë pësuar nga kjo rritje e çmimeve për shkak të lidhjes së tyre me çmimet rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë elektrike. Ajo që presim sa i përket inflacionit është që të vazhdojë një rritje deri diku mesi i vitit 2022. Pastaj të zbutet gradualisht më pas”, tha ai.Di Bella tha se presin që bruto-prodhimi vendor të rritet deri në 4 përqind.Në konferencën virtuale për paraqitjen e këtyre vlerësimeve, ai ka folur edhe për prioritet e politikave fiskale për vitin e ardhshëm.

“Mendojmë që buxheti duhet të jetë më në favor të rritjes. Mendojmë që të ardhurat e papritura të diasporës duhet të shfrytëzohen për të mbledhur zbrazëtirat e infrastrukturës sociale-ekonomike dhe për diversifikuar motorët e rritjes. Ndonëse, forca e rimëkëmbjes së vazhdueshme në vitin 2022 sugjeron që politika fiskale duhet t’i kthehet rregullit fiskal, vitin e ardhshëm ajo që ne kemi këshilluar është që në buxhet duhet të paraqitet një ndarje për shpenzime emergjente në rast se virusi rikthehet. Gjithashtu rezervat e mbushura janë lajm i mirë dhe do t’i ofrojë mundësi Qeverisë së Kosovës që të marrin një rejting për letrat me vlerë të Kosovës. Dhe tani është koha e duhur për këtë, sepse këto rezerva janë të larta dhe kjo do të mund të zgjeronte madhësinë e likuiditetit të tregut të borxhit publik”, ka theksuar ai.Derisa ka folur për rritjen e remitancave gjatë këtij vitit, Di Bella shtoi se turizmi ka shënuar rritje prej 15 përqind.
“Kur e shohim sa të jashtëzakonshme kanë qenë këto vizita këtë vit, është vështirë të imagjinojmë se kjo do të vazhdojë në të ardhmen. Ajo që kemi përmendur është që këto vizita kanë qenë 15 përqind më të larta jo në krahasim me vitin 2020, por në krahasim me vitin 2019. Këto janë rritur në masë të madhe edhe në krahasim edhe me periudhat e para-pandemisë. Dhe ngjashëm është edhe me remitancat. Kur shohim se sa janë rritur remitancat e vitit 2021 në krahasim me nivelet e para-pandemisë e shohim në shifra prej 40 përqind. Shohim që ka lidhje jashtëzakonisht të forta të diasporës së Kosovës dhe vendlindjes që kanë rezultuar me një dëshirë të madhe për të vizituar vendlindjen sapo janë hequr ato masa. Ajo që presim këtë vit është që numrat të kthehen në ato që ishin në normale, pa rritje të madhe”, ka deklaruar ai.Di Bella ka listuar edhe disa rekomandime sa i përket buxhetit në favor të rritjes.“Të gjitha transferet e reja sociale duhet të projektohen mirë, të jenë të targetuara dhe transparente. Buxheti për vitin 2022 përfshin programe të reja për shtesat për fëmijë, për nënat e papuna dhe një alokim apo ndarje të përgjithshme për rreth 1,6 për qind të bruto-prodhimit vendor për subvencione dhe transfere. Por, ajo çfarë themi ne është se buxheti duhet të qartësojë se cili është dizajni i këtyre masave dhe ky transferi i përgjithshëm të tregohet se për çfarë qëllimi do të përdoret gjatë vitit të ardhshëm”, shtoi Di Bella.Meqë siguria, mbrojtja, infrastruktura rrugore përbëjnë pjesën më të madhe të buxhetit për vitin 2022, ai kërkon që duhet të ketë ndarje të dedikuara për të rritur përqindjen e ekonomive familjare dhe shkollave dhe për të zgjeruar infrastrukturën shëndetësore.“Një gjë që e kemi thënë edhe herëve të tjera është se certifikimi i veteranëve të luftës duhet të finalizohet dhe derisa kjo nuk ndodhë përfitimet e veteranëve të luftës duhet të izolohen nga çdo rritje e pritshme në pagën minimale. Tani, kur i shohim investimet ajo që ne mendojmë se janë prioritete është që duhet të rritet kapaciteti i sistemit shëndetësor, duhet të rritet qasja në kompjuterë në shkolla dhe ekonomi familjare. Duhet të caktohet një ndarje, një alokim, për të rritur numrin e gjykatave tregtare, siç është edhe në kërkesën në projektligjin në diskutim e sipër”, ka deklaruar ai.Në këtë konferencë, shefi i misionit të FMN-së në Kosovë, Gabriel Di Bella ka potencuar se duhet të plotësohen pozitat vakante në Bankën Qendrore të Kosovës, në mënyrë që të miratohet buxheti dhe të zbatohen reformat e nevojshme.Ndërkaq, sa i përket papunësisë tha se ka një mospërputhje të asaj që kërkojnë kompanitë dhe atë që studiojnë të rinjtë në Kosovë.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img