22.8 C
Skopje
Monday, May 23, 2022

Editorial/ Zgjedhjet faktorizuan Lëvizjen Besa dhe “Grupin e Zjarrit”, vendosin për çdo shumicë!

Shkup, 4 nëntor – Procesi i zgjedhjeve lokale 2021 ende nuk mund të quhet tërësisht i rrumbullakësuar për shkak “të raundit të tretë” në Dibër më 14 nëntor, megjithatë  mozaiku parazgjedhor gati është kompletuar dhe nuk është vështirë të bëhen konstatimet e përgjithshme.

Nuk kontestohet se BDI fitoi numër më të madh votash dhe ka fituar numër më të madh komunash, siç nuk mund të kontestoht se kjo parti megjithatë ka arritur rezultatin më të pavolitshëm në historinë e vetë, kur bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Humbjet në Tetovë e Gostivar, Zhelinë, Vrapçisht, Studeniçan, e ndoshta edhe në Dibër, e kanë bë BDI-në mjaft të lëndueshme në skenën politike. Edhe më të lëndueshme këtë parti e ka bërë dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev. Sado që disa medium dhe simpatizues të BDI-së shpejtuan që Zaevin ta paraqesin edhe si një viktimë e “politikave të pamposhtura” të Ali Ahmetit, megjithatë dorëheqja e tij jo që nuk forcon pozitat e Ahmetit, por në masë njësoj të madhe e ka brengosur edhe vetë kryetarin e BDI-së.

Shkaqet janë të shumta. Pikësëpari është dilema e hapur lidhur me fatin e “kryeministrit shqiptar”, që BDI e konsideronte si punë të kryer me marrëveshjen për bashkëqverisje të vitit të kaluar. Dështimi eventual i kësaj marrëveshje për shkak të pasqyrës së re që është krijuar në politikë, gjthsesi se është problem për BDI-në dhe Ahmetin.

Problem tjetër është përbërja e qeverisë së re. Me largimin e Zaevit, përveç mandatarit të ri, ligji e Kushtetuta thonë se duhet të votohet edhe përbërja e re e qeverisë, qoftë edhe nëse të gjithë ministrat mbeten të njëjtë. Kjo po që shkakton shkakton problem për Ahmetin, sepse vështirë se edhe një herë do të mund ta kalojë favoritin e tij për zëvendës kryeministër, Artan Grubi.

Zgjedhja e tij vitin e kaluar i shkaktoi shumë kokëçarje kryetarit të BDI-së, për shkak të kundërshtimeve që vinin nga i ashtuquajturi “Grup i Zjarrit”. Këto kokëçarje sivjet do të jenë edhe më të mëdha, për shkak se nëse vitin e kaluar “Grupi i Zjarrit” lëshoi pe, sivjet vështirë se do të bëjë kompromis. Rezultatet e zgjedhjeve lokale shkojnë në favor të eksponentëve kryesorë të këtij grupi dhe ata me siguri do ta shfrytëzojnë rastin për të “eliminuar” kundërshtarin e tyre kryesor, Artan Grubi, ndoshta edhe me çmim të përçarjes së partisë.

Pas zhvillimeve në fund të fushatës zgjedhore, gatishmëri për të votuar Grubin nuk ekziston as te Lëvizja Besa, gjë që edhe më tepër dobëson pozitat e Ahmetit për ta propozuar atë (Grubin) edhe për një mandat zëvendës kryeministri të parë. Sepse, sipas shifrave aktuale në Kuvend, tre deputetët e “Grupit të Zjarrit“ bashkë me tre deputetët e Lëvizjes Besa (gjashtë gjithsej), janë vendimtarë për vazhdimin e shumicës aktuale parlamentare, apo krijimin e një shumice të re.

Shumica aktuale ka 62 deputetë dhe nëse gjatë deputetët e Besës dhe “Grupit të Zjarrit” largohen, atëherë mbeten vetëm 56 deputetë që përkrahin qeverinë. Nga ana tjetër, gjashtë deputetët e sipër përmendur, nëse i mjaftojnë opozitës formim të një shumice të re, pa pasur nevojë për votat e Levicës antishqiptare.

 Në çdo variant, ata vendosin jo vetëm për fatin e Grubit, por edhe për fatin e ministrave tjerë, si dhe për fatin e qeverisë në përgjithësi, por edhe për mundësinë e shpalljes ose mos-shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. ///Zhurnal.mk

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img