6.8 C
Skopje
Friday, December 9, 2022

EDITORIAL / Iniciativa “E Majta” për referendum, që në start i dështuar !

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 29 shtator – Partia nacionaliste e Apasievit, “E Majta” ka filluar sërish iniciativën për të organizuar referendum me qëllim që të anulojë Marrëveshjen me Bullgarinë dhe duke pyetur qytetarët se a janë për vazhdim të negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo iniciativë që duket vetëm si farsë politike e kësaj partie më dy deputetë, është që në fillim e dështuar sepse synimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është integrimi në BE.

“E Majta” në referendum do të pyes “A jeni për vazhdimin e negociatave me BE-në…”

Pasi fillimisht u hodh poshtë iniciativa për referendum e VMRO DPMNE-së, partia tjetër e cila karakterizohet si ultra e majtë e që udhëhiqet nga Dimitar Apasaiev, ka vendosur që të iniciojë organizimin e një referendumi rë ri.

Pyetja të cilën e propozojnë nga kjo parti është “A jeni për vazhdimin e negociatave me BE-në me pranimin e konkluzioneve parlamentare të 16 korrikut, të vitit 2022?”, kurse referendumi të jetë i karakterit të detyrueshëm plotësues. Në KSHZ, partia e Dimitar Apasievit filloi nismën për mbledhjen e 100 nënshkrimeve fillestare.

Apasiev që e konsideron vetën si njohës i mirë i Kushtetutës dhe ligjeve ka thënë se kësaj radhe iniciativa është shkruar saktë juridikisht sipas Ligjit për referendum, ndërsa ka thënë se pret që nënshkrimet e nevojshme minimale të mblidhen deri në fund të javës.

Nga kjo parti gjithashtu kanë kërcënuar se nëse kryetari i Kuvendit sërish e pengon këtë nismë parlamentare e cila do të futet nëpër filtrat e Kuvendit, atëherë deklarojnë se plotësisht do ta bllokojnë Kuvendin.

Tentativë për të matur forcat tek opozita maqedonase!

Dimitar Apasiev me këtë iniciativë duket se po i bën karshillëk VMRO DPMNE-së duke i bërë me dije se atë që ju nuk ditët si ta realizoni, do e bëjmë ne. Publikisht ai i ka bërë thirrje gjitha partive opozitare që ta mbështetin këtë iniciativë, por duket se VMRO-DPMNE-ja, nuk është e prerë për veprimin e saj në këtë rast. E zënë ngushtë nga ajo çfarë mund të ndodhë me anëtarët dhe simpatizantët e saj, Mickoski nuk është as “për” dhe as “kundër”.

Nëse Mickoski e pranon një gjë të tillë ose i nxit votuesit e saj që të pranojnë këtë iniciativë, atëherë ai do të bëjë vetëvrasje politike, sepse xhokerin të cilin e pati në dorën e tij, tani po ia merr një parti minore, e cila me dy deputetët e saj po i bën karshillëk opozitës.

Nëse nuk e pranon këtë ofertë, atëherë ekziston mundësia që qytetarët të votojnë këtë iniciativë duke e konsideruar të paaftë Mickoskin për iniciativën e parë, formulimi i pyetjes ishte joadekuat dhe synonte shkeljen e Kushtetutës.

Por, Apasiev me këtë “penalti” duket se do të japë dy gola. Fillimisht do të dëmtojë imazhin e Mickoskit dhe opozitës maqedonase duke i konsideruar ata si të paaftë dhe përgjegjës për dështimin e iniciativës së parë dhe pika e tij e dytë, që duket të jetë më e fuqishmja është që të fitojë simpati më të madhe te votuesit e pakënaqur me pushtetin, por që nuk mendojnë asgjë tjetër përveç hakmarrjes politike. Këta votues nacionalistë, që nuk e kanë për interes as integrimin në Bashkimin Evropian, janë votuesit potencial të së “Majtës”. Me këtë mënyrë, kjo parti synon që në të ardhmen të marrë 12-15 deputetë tek votuesit maqedonas dhe në një farë mënyrë të bëhet parti kyçe në zhvillimet e mëtutjeshme demokratike në vend.

Një kalkulim dhe fitore e këtillë do të ishte shumë e dëmshme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, sepse kështu do të pengohej integrimi dhe do të merrte fuqi më të madhe nacionalizimi maqedonas që është në rritje. Sigurisht, që kjo rrugë pa krye nuk do të dihej si do ta ketë fundin, por dëmi do të ishte i pariparueshëm.

Mosintegrimi në BE do të të thotë të kthehemi kah Rusia – prandaj ky referendum nuk guxon të ndodhë!

Mosintegrimi në Bashkimin Evropian do të thotë se fuqizohen edhe më shumë forcat regresive në vend, forcat që janë pro Rusisë, forcat që janë kundër NATO-s, kundër Marrëveshjes së Ohrit dhe kundër bashkëjetesës në vend.

Qeveria ka thënë se çfarëdo referendumi që do të pengonte negociatat me BE-në është vetëm në dëm të vendit, ndërsa mbetet i pakontestuar fakti që “E Majta” bashkë me VMRO-DPMNE-në janë penguesit më të mëdhenj të procesit eurointegrues.

Të gjitha partitë shqiptare, qoftë në opozitë apo në pushtet kanë thënë se janë kundër çfarëdo iniciative që do të pengonte integrimin në BE dhe pikërisht për këtë arsye politikanët duke pasur parasysh përgjegjësinë që e kanë, duhet ndonjëherë të marrin vendime të fuqishme që mos të lënë në dorë të askujt fatin e vendit që shkon përtej këtyre synimeve.

Edhe në këtë rast, ngjashëm si në rastin e mëparshëm kur u anulua një iniciativë për referendum, partitë me përgjegjësi të lartë politike për të ardhmen e vendit, duke përfshirë këtu edhe VMRO DPMNE-në, duhet të mos lejojnë që dikush të luajë me fatin e popullit. A do të bëjnë këtë duke i motivuar njerëzit që mos të dalin në këtë referendum, apo duke mos lejuar që të arrihet 150 mijë vota, ose duke dërguar iniciativën në Gjykatën Kushtetutës, ose çfarëdo forme tjetër, është detyrë e pushtetit që të gjejë modalitete, por iniciativa të tilla nuk guxon të lejohen.

Nëse tani arrihet që një parti minorene të luajë dhe të manipulojë me ndjenjat e popullatës, kjo do të thotë se çdo kush në të ardhmen do të arrijë të bllokojë çdo iniciativë që ka për synim zhvillim, progres dhe integrim të vendit ngjashëm sikur vendet dhe miqtë evropian. //Zhurnal.mk

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img