10.8 C
Skopje
Friday, March 29, 2024

EDITORIAL / Edhe pas pesë viteve, nuk ka Kod Penal që do t’i mbrojë gazetarët!

Shkup, 18 nëntor – Edhe pse kanë kaluar pesë vite që kur u inicuan ndryshimet e dispozitave të Kodit Penal të Maqadonisë së Veriut për mbrojtje më të madhe të gazetarëve, ende nuk ka asnjë vendim konkret. Qeveria thotë se janë në rrugë për të plotësuar kërkesat e mediave, por gazetarët mbeten ende shtresa më e kërcënuar. Duhet qartë të kuptohet se pa liri të medias, nuk ka zhvillim të mirëfilltë!

Gazetarët kërkojnë mbrojtje ligjore

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për përfundimin e pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve, organizatat e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut kërkuan miratimin e ndryshimeve ligjore për mbrojtje më të madhe të gazetarëve, shkruan Zhurnal.

Në një konferencë për media të mbajtur para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGM) kërkuan që sulmi ndaj gazetarit të konsiderohet si sulm ndaj profesionin dhe jo sulm ndaj personit fizik.

Ata kërkuan nga partitë politike që menjëherë të miratojnë ndryshime në Kodin Penal, me çka sulmi ndaj gazetarëve do të trajtohej si sulm ndaj një zyrtari dhe i kërkuan Kuvendit të tregojë mirëkuptim ndaj sigurisë së gazetarëve si parakusht për punën e tyre.

Gjykata nuk zgjidh sulmet ndaj gazetarëve – kërcënojnë me bojkot të Kuvendit

Të dhënat nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë tregojnë se gjatë vitit 2020 ka pasur gjithsej 14 sulme ndaj gazetarëve, nga të cilat 8 kanë qenë ndaj gazetareve dhe vetëm 2 janë zgjidhur me vendim gjykate. Në vitin 2021 nga 5 sulme, 3 kanë qenë ndaj gazetareve. Në vitin 2022, pra deri më tani kemi 6 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.

Përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve kanë bërë të ditur se nëse deri në fund të vitit nuk miratohen ndryshimet ligjore, planifikojnë të bojkotojnë aktivitetet e Kuvendit.

Ata gjithashtu thanë se SHGM dhe SPGM i bashkohen nismës globale të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe i bënë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të mbështesë miratimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë mediatik.

Nga ministria e drejtësiëë premtojnë zgjidhje por koha mbetet e shkurtër

Zëvendësministri i drejtësisë Agim Nuhiu ka theksuar se së shpejti do të ketë zgjidhje për Kodin Penal të gazetarëve, ku grupi i punës ka bërë propozimet e ndryshimeve në disa vepra penale me formë kualifikuese nëse vepra ishte kryer kundër një gazetari,për të cilat janë parashikuar dënime më të rrepta, si vrasja, parandalimi i personit zyrtar në kryerjen e veprimtarive zyrtare, rrezikimi i sigurisë etj.

Por, edhe pse këto janë disa nga kërkesat që janë kërkuar nga gazetarët, duket se janë ende në versionin punues të ligjit dhe është tepër e vështirë të realizohen deri në fund të vitit.

Nga ana e gazetarëve deri më tani janë mbajtur takime edhe me përfaqësues të qeverisë, dhe kanë kaluar 17 muaj që kur Ministria e Drejtësisë i ka dërguar amendamentet në Kuvend, por ato ende nuk janë miratuar.
Gazetarët kanë thënë se do të bojkotojnë punën e Kuvendit nëse nuk ka një zgjidhje të mirëfilltë.

Çfarë parashohin ndryshimet!

Propozimet fillestare janë që sulmi ndaj një gazetari të konsiderohet si sulm ndaj një personi zyrtar, me çka dënimi me burg arrinë deri në tre vite heqje lirie.

Në gjë e tillë më pas parasheh edhe dënime me burg dhe ky ndryshim do të rrisë sigurinë e gazetarëve dhe informimin profesional.

Sulmet fizike ndaj gazetarëve me shumë vështirësi kanë arritur deri në një epilog gjyqësor dhe kjo situatë tregon se sa të nevojshme kanë qenë këto ndryshime të Kodit Penal, shkruan Zhurnal.

Me këto ndryshime në Kodin Penal, nuk po kërkohet që gazetarët të marrin statusin e personave zyrtarë, por sulmuesit të përndiqen me automatizëm sipas detyrës zyrtare nga organet e rendit dhe gjyqësori dhe jo gazetarët vetë të kërkojnë drejtësinë.

Punonjësit e mediave po ashtu theksojnë se është shumë e nevojshme të investohet në edukimin e gjykatësve dhe prokurorëve sa i përket rëndësisë së punës së gazetarëve.

Sulmet ndaj gazetarëve, ngulfatje ndaj lirisë së shprehjes

Gazetarët janë ata të cilët i informojnë qytetarët dhe janë në mbrojtje të qytetarëve dhe për më tepër, sulmet ndaj gazetarëve duhet të shihen si sulme që u bëhen qytetarëve ose lirisë së shprehjes.

Gazetarët kur informojnë duhet të kuptohet se nuk kanë faj për zhvillimet e këqija që ndodhin në shoqëri, nuk kanë faj kur denoncojnë zyrtarët e lartë që kanë bërë shkelje ligjore, por ata mbrojnë qytetarët dhe interesin publik.
Me vetë faktin se institucionet do të jenë të obliguara që të reagojnë sipas detyrës , kjo paraqet një lloj dekurajimi për sulmuesit potencialë dhe bazë e mirë për zvogëlimin e mosndëshkueshmërisë, që është kruciale për sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë.

Çështje me shumë rëndësi është zbatimi i ligjeve që tashmë janë në fuqi, e që për momentin nuk gjejnë zbatim normativat ligjore që mbrojnë gazetarët nga sulmet e ndryshme.

Komisioni Evropian disa herë ka bërë kritika ndaj sistemit të drejtësisë së Maqedonisë Veriut, për shkak se në shumë raste i ka sakrifikuar të drejtat e gazetarëve përballë politikanëve.

Me ndryshimet në Kodin Penal duhet jepet një mesazh pozitiv se kjo qeveri dhe kjo shumicë parlamentare ka synim kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Evropian./Zhurnal.mk

Marketing
Related news