10.8 C
Skopje
Saturday, November 27, 2021

Deponia, ujësjellësi e tregu i mbyllur/ Cilat janë dështimet më të mëdha të Ramiz Merkos në Strugë?

Shkup, 24 shtator – Fushatat elektorale janë një instrument i mirë për për paraqitjen e programeve dhe projekteve për një parti politike apo nje kandidat, e që përmes tyre synon që të marrë mbështetjen e elektoratit, por që fatkeqësisht ato projekte pas zgjedhjeve mbesin vetëm deklarata dhe asgjë më shumë, dhe se sipas banorëve nga struga, një rast i tillë është dhe kryetarit aktual në Strugë Ramiz Merko.

Partitë politike përmes fushatave elektorale synojnë që projektet, programet dhe platformat e tyre ti paraqesin para elektoratit, dhe të premtojnë që përmes tyre do ti zgjidhin brengat dhe shqetësimet që kanë qytetarët, e që në këtë mënyrë të përfitojnë mbështetjen e tyre për ta marrë pushtetin, shkruan Zhurnal.

Në vendet me demokraci të zhvilluar është shumë e rëndësishme fushata elektorale dhe dhënia e premtimeve, por më e rëndësishme është mbajtja e tyre, pasi në rast se ndodhë e kundërta, atëherë ajo parti apo kandidat do ta humbiste kredibilitetin para qytetarëve dhe si e tillë ajo do të shkonte në histori.

Fatkeqësisht i njëjti standard nuk është edhe në Maqedoninë e Veriut edhe pse synojmë që ti bashkohemi familjes së madhe Europiane. Këtu premtohet shumë, por shumë pak realizohet, e sikur të mos mjaftonte kjo, ata nuk mbajnë as përgjegjësi morale e as politike për mos realizimin premtimeve. E çudia nuk mbaron këtu, pasi kryetarët që nuk realizojnë ato që kanë premtuar jo vetëm që nuk ndëshkohen nga partitë, por ata vazhdojnë që të jenë figura të pa diskutuara në çdo garë elektorale, pavarësisht dështime kolosale që kanë pësuar gjatë periudhës që kanë shërbyer në poste publike.

Ramiz Merko është një nga figurat i cili që nga themelimi i Bashiimit Demokratik për Integrim ka kaluar nga një post te tjetri, e që edhe pse është konsumuar politikisht ai po vazhdon që të jetë figurë e pa negocueshme kur bëhet fjala për në Strugë. Ai ka qenë kryetar i Strugës nën siglën e BDI-së në periudhën 2005-2013 pra ka fituar dy mandate radhazi. Por zgjedhjet lokale të vitit 2013 ai u mposht nga Ziadin Sela.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Ramiz Merko rikandidoi për një mandat të tretë për të parin e Strugës, ku në raundin e parë ai ishte në dizavantazh ndaj Ziadin Selës, por në raundin e dytë situata ndryshoi dhe ai triumfoi në këtë komunë.

Gjatë fushatës së vitit 2017, ai premtoi shumë gjëra për struganët, por që për realizimin e tyre, ai kërkoi nga qytetarët që edhe njëherë t’ia jepnin besimin, të cilin ai e mori. Por sa ka realizuar ai nga ato që kishte premtuar gjatë kësaj fushate?

Një nga problemet më të mëdha me të cilin banorët e Strugës janë përballur për një kohë të gjatë është deponia ilegale e cila ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit, të cilët rregullisht digjen duke ndotur ajrin e duke e bërë të pa përballueshme jetesën aty, shkruan Zhurnal.

Në programin “Për Komunën që duam” Ramiz Merko në vitin 2017 premtonte zgjidhjen e këtij problemi përmes ndërtimit të një deponie rajonale për 9 komunat jug-perëndimore. Fatkeqësisht kjo mbetet vetëm një premtim elektoral dhe ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, ndërsa ajri kancerogjen që po gjeneron kjo deponi po shkatërron shëndetin e qytetarëve të Strugës.

Në fushtatën zgjedhore Ramiz Merko kishte premtuar ndërtimin e tregut të mbyllur që ishte një nevojë e domosdoshme për tregtarët dhe qytetarët e kësaj komune. Fatkeqësisht mandati i tij po mbaron dhe ende nuk është bërë asnjë hap në drejtim të realizimit të këtij premtimi.

Një premtim tjetër i Merkos në kuadër të programit “Për Komunën që duam” ishte ndërrimi i tubacioneve të ujësjellësit në të gjithë qytetin, pasi një pjesë e konsiderueshme e këtij sistemi është shumë i vjetër dhe gypat janë nga azbesti që sipas hulumtimeve të fundit ato janë shkaktar të kancerit. Mirëpo shumë qytetarë të Strugës vetë thonë se edhe pse Merko është në fund të mandatit, ai nuk e ka realizuar këtë premtim. Si pasojë, ata thonë se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Strugës vazhdojnë të pinë këtë ujë që përmban elemente kancerogjene, me çka seriozisht po rrezikohet shëndeti i tyre, shkruan Zhurnal.

Këto janë vetëm disa nga premtimet e shumta të pa mbajtura të Ramiz Merkos që ka bërë gjatë fushatës elektorale të vitit 2017, shkruan Zhurnal.mk

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img