-3.2 C
Skopje
Thursday, December 9, 2021

Çmimi i rrymës nuk do të ndryshojë deri në fund të këtij viti, është herët të parashihet çka pas 1 janarit

Shkup, 12 tetor 2021 (MIA) – Deri në fund të këtij viti nuk do të ndryshojë çmimi i energjisë elektrike, ndërsa tani është shumë herët të parashohim se çka do të ndodhë pas kësaj, porositën sot kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime Ujore (KRRE), Marko Bislimovski.

Kryeministri Zaev theksoi se stabiliteti i çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë është garantuar deri në fund të vitit përmes EMV dhe MEPSO, ndërsa me këtë edhe përmes shtetit dhe shtoi se nuk ka kurrfarë shkaqe për frikësim.

“Besoj se të gjitha përvojat dhe ekspertët tanë i kemi nga MEPSO dhe EMV, KRRE dhe të gjithë ekspertët e pavarur do të na gjinden që të ndërtojmë politika të mençura në interes të qytetarëve. Në periudhën që vijon do t’i shfrytëzojmë të gjitha potencialet të cilat i kemi në REK Manastir dhe në REK Osllomej. Tashmë publikuam procedurë për furnizim të qymyrit nga jashtë për prodhimtari të energjisë elektrike që do të prodhohet pas tre deri katër herë çmim më i vogël nga ai i bursës e cila është për momentin. E gjithë kjo do të nënkuptojë stabilitet së pari për amvisëritë, ndërsa pastaj edhe për institucionet publike dhe për sektorin privat”, tha Zaevi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri në të cilën ishte paralajmëruar in investimi i madh gjerman – parku me erë “Virovi”.

Ai theksoi se në këtë mënyrë shteti ynë vepron njëjtë si shtetet e rajonit dhe më gjerë dhe shtoi se jemi të gatshëm që me kohë të reagojmë atëherë kur do të duhet dhe aty ku duhet.

Në pyetjen nëse vendi planifikon të furnizojë rezerva intervenuese të gazit natyror, kryeministri Zaev u përgjigj se ata blihen në tremujor, gjysmëvjetor dhe vjetor nga tregtarët me gaz, e jo nga shteti. Ai theksoi se duhet pas kujdes me momentin psikologjik i cili mund të shkaktojë spiralë në inflacion dhe shtoi se shtetit ka kapacitete institucionale, financiare dhe materiale të intervenojë dhe të ndihmojë.

Sipas kryetarit të KRRE-së, në momentin kur do të rritet dërgesa e gazit natyror nga Rusia do të stabilizohet çmimi i gazit, ndërsa me këtë edhe çmimi i energjisë elektrike.

“Një gjë është e sigurt se nuk do të ketë kurrfarë ndryshimesh çmimit të energjisë elektrike deri në fund të këtij viti. Në këtë moment EMV në bashkëpunim me Qeverinë ndërmori aktivitete që të furnizohet me qymyr me qëllim që të stabilizohet çmimi i energjisë elektrike në shtet para së gjithash në ekonomi. Është shumë herët tani të flasim se si do të jetë nga 1 janari sepse punët po ndryshojnë si në shiritin e filmave. Informacione më konkrete do të kemi gjatë dhjetorit kur MEPSO dhe EMV do t’i shpallin tenderët e tyre për furnizim të humbjeve të energjisë elektrike”, tha Bislimovski.

Ai theksoi se beson se EMV, si edhe deri më tani do të sigurojë më shumë energji elektrike se sa që është paraparë me Ligjin për energjetikë për nevojat e amvisërive dhe theksoi se gjatë javës së kaluar pas paralajmërimit të presidentit rus Putin se do ta rrisë dërgesën e gazit natyror përmes Ukrainës në Evropë, çmimi i energjisë elektrike në bursën e HUPEKS u ul për rreth 20 për qind.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img