0.8 C
Skopje
Sunday, November 27, 2022

CMG-ja: Ekonomia kineze kontribut në stabilizimin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore

Përhapja e variantit “Delta” të COVID-19 në mbarë botën pengon procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore. Në këtë sfond, të dhënat e ekonomisë kineze, të publikuara ditët e fundit nga autoritetet kineze, kanë tërhequr vëmendjen e  opinionit.

Në korrik, si pasojë e përmbytjeve dhe e shtimit të rasteve të COVID-19 në disa krahina, disa tregues kryesorë të rritjes së ekonomisë kineze patën ulje. Megjithatë, treguesit makroekonomikë të Kinës janë ende në nivele të arsyeshme dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë ka vijuar prirjen e rimëkëmbjes. Ashtu siç vunë në dukje shumë ekspertë, Kina do të vazhdojë të luajë rol stabilizues për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).

Së pari, investimet e dyanshme aktive i kanë shtuar forcë nxitëse rimëkëmbjes ekonomike botërore. Sipas të dhënave statistikore, nga janari deri në korrik të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i përdorimit real të investimeve të huaja në Kinë i kaloi 672 miliardë juanët, 25.6 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Ndërkohë, edhe investimet kineze kanë ndihmuar vendet përkatëse në rimëkëmbjen ekonomike. Gjatë kësaj periudhe, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare në vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” arritën 11 miliardë e 290 milionë dollarë amerikanë, duke u shtuar 9.9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme.

Së dyti, fabrikat kineze po plotësojnë mungesën e madhe të furnizimit në tregun ndërkombëtar si pasojë e pandemisë, duke stabilizuar zinxhirin global të furnizimit. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i import-eksportit, importit dhe eksportit u shtuan përkatësisht 24.5, 24.5 dhe 24.4 për qind, shifra këto më të lartat në dhjetë vjet.

Vlen të përmendet se Kina po ndihmon botën në zbutjen e presionit të inflacionit, komentoi CMG-ja. Për zbutjen e krizës nga pandemia, ekonomitë perëndimore, me ShBA-në në krye, kanë zbatuar politikën e stimulimit financiar me shuma kolosale dhe, si pasojë, çmimi i shumë lëndëve të para u ngrit në një kulm shumëvjeçar, duke çuar në mbarë botën presionin e inflacionit.

Sipas njoftimit të gazetës “The Wall Street Journal”, gjatë 12 muajve deri në maj të këtij viti, çmimi i mallrave kineze të importuara në ShBA u ngri 2.7 për qind, por kjo është më e ulët se niveli i përgjithshëm i inflacionit të konsumit në ShBA prej 5 për qind. 

Sigurisht, për ekonominë e tanishme botërore plot pasiguri, ka rëndësi të madhe ruajtja e rimëkëmbjes së qëndrueshme të ekonomisë kineze. Më e rëndësishmja është se Kina ka mbajtur të hapur dyert e tregut të saj. P. sh., gjatë Ekspozitës së 5-të Kinë-Shtetet Arabe, që është duke u zhvilluar, u nënshkruan 277 marrëveshje me një vlerë prej afro 24 miliardë dollarësh amerikanë.

Latest news
Related news
- Advertisement -spot_img