Shkup, 14 shtator – Blloku opozitar shqiptar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, kanë dorëzuar sot në arkivin e Kuvendit interpelancë për punën e kryeprokurorit publik, Lubomir Joveski. Arsyeja që çoi në këtë veprim, siç u shprehën nga opozita, është kulminacioni i punës së tij jokonsistente, jontrasnparente, kontraverse dhe humbja besimit publik ndaj institucionit të Prokurorisë Publike që ndodhi gjatë rastit gjyqësor në lidhje me djegien e spitalit modular në Tetovë, ku mbetën të vdekur tragjikisht 14 persona. Opozita konsideron se roli i Prokurorit Publik, Ljubomir Joveski, në këtë rast është bërë temë e dyshimeve.
“Presim që Kryetari i Kuvendit do ta respektojë Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër është të ballafaqohemi me argumente me kryeprokurorin Lubomir Joveski se si ka ndodhur që të digjen 14 njerëz në spital dhe përgjegjësi të mos kërkohet nga ndërmarrja që e ka ndërtuar spitalin modular, nga realizuesi i furnizimit publik, pastaj të shpjegojë se pse nuk është marrë parasysh raporti i forenzikës gjermane dhe pse është përjashtuar prokurori që në fillim ishte caktuar për këtë lëndë” – tha Merita Koxhaxhiku, deputete e Lëvizjes Demokratike.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zeneli tha se, pavarësisht që kryeprokurori është në fund të mandatit të tij, duhet të përgjigjet për lëshimet që janë bërë gjatë procedurave për rastin e spitalit modular.
“Askush, pa marrë parasysh se në cilën periudhë të mandatit të tij është, nuk mund t’i ike përgjegjësisë për veprimet ose mosveprimet e tij. Ky është edhe një detyrim kushtetuese. Zotëri prokuror i përgjithshëm Joveski është në detyrë dhe si i tillë duhet të barte përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e tij për rastin e spitalit modular në Tetovë. Do me thënë, kjo është ajo që është baza e interpelancës sonë” – tha Fadil Zeneli, deputet i Lëvizjes BESA.
Kujtojmë se, redaksia IRL në muajin gusht publikoi një hulumtim i cili përmbante informacione për tenderë të dyshimtë, lëshime gjatë standardeve të sigurisë dhe specifikacionet e tenderimit për ndërtimin e spitalit modular në Tetovë.
Suksesi i interpelancës mund të jetë porosi pozitive për gjithë gjyqësorin
Partitë opozitare shqiptare mund ta parashtrojnë si propozim, mirëpo vetë nuk mund t’i shkojnë deri në fund shkarkimit të Jovevskit me shumicë votash në Kuvend. Gjithçka varet nëse interpelanca do të përkrahet edhe nga partitë tjera politike. Realiteti tregon se Jovevski është në fund të mandatit të tij, e nëse shkarkohet tani, nuk ka garanci se në vendin e tij do të vijë ndonjë kryeprokuror më i mirë Megjithatë, suksesi i kësaj interpelance do të kishte një peshë të veçantë. Ajo do ta ngriste në një stad më të lartë përgjegjësinë e për spitalin modular në Tetovë, e njëkohësisht do të ishte porosi për kryeprokurorët e ardhshëm se nuk janë të paprekshëm, por se edhe ata i nënshtrohen përgjegjësisë, shkruan Zhurnal. Kjo porosi, në mënyrë vertikale do të arrinte tek të gjithë instancat më të ulëta të prokurorisë, respektivisht tek gjyqësori në përgjithësi dhe si e tillë është më se e nevojshme në këtë kohë kur gjyqësori ka rënë në nivelet më të ulëta të besueshmërisë si para opinionit vendor në Maqedoninë e Veriut, poashtu edhe para faktorit ndërkombëtar.
Do të ishte porosi e rëndësishme edhe për bartësit e funksioneve, se nuk mund të shpëtojnë aq lehtë nga përgjegjësia për tragjedi (nëse e kanë), madje edhe në raste kur ka shumë viktima, siç ishte rasti i Spitalit modular.
Jemi të vetëdijshëm se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut, që ka stagnuar mbi 30 vite duke mbetur në kohën e komunizmit, nuk mundet brenda natës të arrijë nivelin evro-perëndimor. Mirëpo një pikë kthese patjetër duhet të ketë, e kjo pikë kthese gjithsesi se mund të jetë interpelanca për prokurorin Jovevski lidhur me rastin e spitalit modular. Këtu buron rëndësia që të gjitha partitë të përkrahin interpelancën. Nëse jo të gjitha, atëherë së paku të gjitha partitë shqiptare, sepse realisht të kishin qenë viktimat të një përkatësie tjetër etnike, reagimi i subjekteve të tyre politike do të ishte shumë më i ashpër dhe më i unifikuar. Nuk duhet të krijohet edhe një herë bindje në vendin tonë se kur janë viktimat shqiptare, atëherë përgjegjësia duhet të jetë më e vogël, ose të mos ketë fare.
E dyshimet për rastin e Spitalit modular janë eklatante. Laboratori për gazetari hulumtuese (IRL), në dokumentarin e tij “Vrasje në Tetovë” solli fakte të panjohura deri tani për zjarrin në në të cilin vdiqën 14 persona, të cilat tregojnë hetime të sabotuara dhe fshehje të lëshimeve gjatë ndërtimit të objekteve modulare nga personat përgjegjës në institucione, duke publikuar edhe dokumentet mbi të cilat bazohet hulumtimi së bashku me ndarje të ngjarjeve kryesore që çuan në tragjedi dhe mbulimin e fajtorëve nga ana e prokurorëve.
Hulumtimi tregon se spitalet modulare për kovid, duke përfshirë edhe atë të djegurën në Tetovë, janë ndërtuar në mënyrë të joadekuate duke anashkaluar disa procedura ligjore. Janë ndërtuar pa elaborat për instalim elektrik, pa elaborat për mbrojtje nga zjarri, pa mbikëqyrje të ndërtimit dhe një sërë lëshimesh të tjera ligjore. Dokumentet deri te të cilat erdhën gazetarët e IRL-së tregojnë se për procedurën joadekuate të tenderit, u ngrit alarmi që në thirrjen e parë për ndërtimin e një kovid-qendre modulare , kur kompetenca ishte në Ministrinë e vetëqeverisjes lokale. Ministri i atëhershëm, Goran Milevski, anuloi procedurën meqë u shkelën disa ligje, ndërsa ai dyshoi se disa ndërmarrje janë favorizuar.
Pas kësaj, kompetencat për zbatimin e tenderit kaluan në Ministrinë e Shëndetësisë, të drejtuar në atë kohë nga Venko Filipçe. Edhe në procedurën e anuluar, edhe më vonë në procedurën e përsëritur, tenderi iu dha kompanisë maqedonase “Brako”, një nga kompanitë familjare të ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.
Më vonë, u realizua edhe një tender për ndërtimin e 17 kovid-qendrave modulare në brendësi të vendit, duke përfshirë edhe atë në Tetovë. Ky tender u realizua nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Pesë nga spitalet do të ndërtohen nga firma e Valandovës “JBT Ari i Tom”, dhe 12 të tjerat, duke përfshirë atë të Tetovës, do të ndërtohen nga Brako.
Specifikimi teknik për ndërtimin e këtyre objekteve modulare do të përgatitet dhe nënshkruhet nga arkitektja Vanja Andonova, atëherë nëpunëse në kabinetin e ministrit Filipçe. Andonova, pas largimit të Filipçes nga posti i ministrit u punësua në “Brako”. Pak para se të ndodh zjarri, filloi të përgatitet edhe një tender tjetër për objektet modulare, kësaj rradhe për të zëvendësuar objektet e vjetra të ambulantave në Shkup. Këtë tender e merr kompania bijë e “Brakos”, kompania “EMS”. Sapo filluan të ndërtohen tre ambulancat e para modulare, ndodhi zjarri në Tetovë. Disa ditë pas zjarrit, kontraktori ka kërkuar përmirësimin e standardeve për ndërtimin e ambulancave. Për ndërtimin e këtyre 10 ambulancave është angazhuar edhe një kompani për mbikëqyrje të ndërtimit, që nuk ishte rasti me objektet e mëparshme modulare. Tani, mbikëqyrja e sapoprezantuar do të thotë se specifikimi teknik nuk plotëson standardet minimale për siguri dhe rezistencë ndaj zjarrit.
Dokumentet tregojnë se larg syve të publikut, realizuesi dhe Ministria e shëndetësisë do të nënshkruajnë ankes të marrëveshjes për përmirësimin e standardeve, duke rritur kështu çmimin e realizimit për rreth 15 për qind. Ky aneks i marrëveshjes, edhe pse është detyrim ligjor, nuk do të dorëzohet nga Ministria e Shëndetësisë në Byronë për Furnizime Publike, institucion kompetent për shpalljen e të gjitha marrëveshjeve të lidhura të institucioneve.
Krahas elementëve të kontestuara rreth procedurave të tenderit, dokumentacioni i siguruar nga gazetarët e IRL-së tregon se hetimi për zjarrin është kryer fillimisht në drejtim të zbulimit të shkaqeve të zjarrit dhe pse i gjithë objekti u dogj kaq shpejt, por disa muaj më vonë do të ngriheshin akuza për vepra krejtësisht të tjera penale.
Dokumentacioni tregon se prokurorët, tre nga Tetova dhe dy nga Shkupi, e dinin që në muajin e parë se specifikimi teknik ishte i kontestueshëm, dhe urdhëruan katër ekspertiza që lokalizojnë lidhjet shkakore-pasore për zjarrin. Midis këtyre dokumenteve janë ekspertiza për instalimet elektrike dhe raporti i forenzikëve gjermanë. Megjithatë, në mënyrë mjaft të paqartë, prokurorët do të vendosin të porosisin edhe një ekspertizë të pestë të realizuar nga profesorët nga Fakulteti i shkencave të inxhinierisë elektrike, që nga ana tjetër do të shprehë pikëpamje të kundërta mbi paraqitjen e zjarrit nga ekspertizat e mëparshme.
Pak ditë pas këtij raporti të ekspertit, u ngrit edhe aktakuza, që përfshin tre persona fizik, dy drejtorët, Florim Besimi dhe Artan Etemi, për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe mjekun Boban Vuçevski për “mosveprim sipas rregulloreve shëndetësore gjatë epidemisë”. Procedura gjyqësor do të hutujë opinionin, sepse në asnjë moment nga shqyrtimet kryesore nuk u diskutua për shkaqet e zjarrit dhe as nuk u prezantua ekspertiza gjermane. Në fund të procedurës gjyqësore, madje edhe gjykatësi Jordan Vellkovski do t’ua bëjë të qartë gazetarëve me vetiniciativë se ky gjykim nuk kishte të bënte me zjarrin dhe se është prokuroria ajo që i sjell lëndet te ata, e kjo lëndë ka të bëjë me vepra të tjera penale. Shans të dytë për drejtësi ka në një hetim tjetër të prokurorisë që zhvillohet në Prokurorinë për krimin e organizuar dhe korrupsionin. U paralajmërua se kjo prokurori do të kontrollonte dokumentacionin e tenderit, por ai hetim është ende në fazën parahetimore dhe nuk shënon asnjë përparim.
Storja hulumtuese “Vrasje në Tetovë” bazohet në dokumentacionin e siguruar nga gazetarët nga institucionet përmes Ligjit për qasje të lirë në informacione të karakter publik, si dhe materialet e paraqitura nga sinjalizuesit nga procedura e tenderit për ndërtimin e objekteve modulare dhe nga hetimi i udhëhequr nga Prokuroria themelore publike në Tetovë. Materialet përmbajnë 585 dokumente të shkruara në 5455 faqe.
Përfundimet e raportit gjerman
Një element tjetër që shkon në favor të interpelancës së Jovevskit konsiderohet edhe raporti me Përfundimet e raportit gjerman, shkruan Zhurnal. Sipas dokumenteve të publikuara nga IRL në dokumentarin me titull “Vrasja në Tetovë”, ekspertët gjermanë janë të qartë në konkluzionet e tyre. Arsyeja e parë e përhapjes së shpejtë të zjarrit, sipas tyre, është prania e një sasie të madhe oksigjeni në kombinim me poliuretani apo pur-panele nga të cilat është ndërtuar spitali. Arsyeja e dytë është mungesa e barrierave kundër zjarrit që do të parandalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit ose më së paku do ta vështirësonin atë, vendosja e të cilave është detyrim ligjor sipas standardeve të sigurisë. Dhe arsyeja e tretë është ndërtimi i hapur i ndërtesës në papafingo ku gazi i dëmshëm mund të përzihet me oksigjenin dhe të përhapet kudo në një kohë shumë të shpejtë.
Ndryshe, më 5 qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Tetovë ka nxjerrë aktgjykim për zjarrin në spitalin modular që ndodhi më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona. Drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi dhe personi juridik Spitali klinik Tetovë, për veprën penale të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, janë dënuar me kusht prej një viti e gjashtë muaj, nëse nuk e përsërisin veprën penale në tri vitet e ardhshme.
Gjykata shpalli pafajësinë për mjekun Boban Vuçevski, i cili akuzohej për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore. Së bashku me Vuçevskin, Spitali Klinik u lirua nga vepra penale e mosveprimit sipas rregullave shëndetësore. Spitalit Klinik i është shqiptuar gjobë prej një milion denarë./Zhurnal